Foto: Kallxo.com

Dënimi minimal i Sokol Bashotës, prokurorja paralajmëron ankesë

Ish-kryetari i Klinës, Sokol Bashota dhe ish zëvendëskryetari i kësaj Komune, Enver Berisha, sot gjatë ditës u dënuan me nga 6 muaj burgim pasi u gjetën fajtorë për deklarim të rremë të pasurisë.

Dënimi i dhënë nuk do të ekzekutohet në rast se ata nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.

Sipas ligjit, Sokol Bashota dhe Enver Berisha rrezikonin të dënoheshin nga 6 muaj deri në 5 vite burgim, ndërsa Gjykata e Pejës edhe pse i gjeti fajtorë vendosi që ndaj tyre të shqiptonte dënimin minimal.

E kontaktuar nga KALLXO.com, pas këtij vendimi prokurorja Sahide Gashi tha se do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Unë jam e kënaqur, kryesorja që është dënu se ma në fund po dënohet një zyrtar i lartë, po nuk jam e kënaqur fare me lartësinë e dënimit dhe sigurisht se do të ushtrojmë ankesë në Gjykatën e Apelit“, tha prokurorja Gashi.

Ajo shtoi se do të kërkojë edhe dënimin plotësues të ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike.

Sokol Bashota u gjet fajtor për deklarim të rremë të pasurisë pasi edhe pse ishte i detyruar nuk i kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion veturat Jeep dhe BMW X5 në vlerë prej 65 mijë eurove, banesën me madhësi 79 metra katrorë në Prishtinë si dhe të hyrat prej 3.000 euro në vit nga qiraja e banesës.

Ndërsa Enver Berisha u gjet fajtor për mosdeklarimin e tokës me sipërfaqe prej 5.500 metra katrorë edhe pse ishte i detyruar ta bënte një gjë të tillë.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit ndodhi një gjë e pazakontë pasi gjyqtari Sylë Lokaj i shprehu keqardhje të akuzuarve pas leximit të dënimit.

https://kallxo.com/video-gjykatesit-i-vjen-shume-keq-qe-e-denoi-sokol-bashoten/

www.kallxo.com