Foto: Facebook

Dënimi i Aktivistëve, Vetëvendosje Përgatit Ankesë

Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që së bashku me avokatët të cilët kanë marrë përsipër mbrojtjen e aktivistëve të tyre të bëjnë ankesa ndaj aktgjykimit dënues për aktivistët e tyre nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Albulena Haxhiu, në një konferencë për medie, ka folur për aktgjykimin dënues ndaj aktivistëve të Lëvizjes.

Sipas saj, aktgjykimi para tre ditësh u është shpërndarë avokatëve.

“Ne tash bashkë me avokatët që kanë marrë përsipër mbrojtjen e aktivistëve tanë jemi duke u dakordu për ankesën dhe shpresojmë se ankesat me të cilat do të goditet ky aktgjykim i turpshëm do t’i japin kuptim shkallshëmrisë së sistemit tonë gjyqësor”, tha ajo.

Sipas Haxhiut, ky aktgjykim dënues nuk bazohet në fakte dhe dëshmi bindëse dhe të besuara, por bazohet ne insinuata, përshkrime hipotetike dhe interpretime të rrethanave faktike.

“Kjo është skandaloze dhe është e paprecedent. Sipas Kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale përgjegjësia dhe përgjegjshmëria penale janë elementet kryesore të nocionit të fajësisë”, tha ajo.

“Është esenciale që por çdo kryes të veprës penale të vërtetohen rrethanat vendimtare që do të shpinin deri te konkludimi i këtyre elementeve”, shtoi më tutje Haxhiu.

Sipas saj, në shumë pjesë të këtij aktgjykimi ka kundërthënie dhe asnjëra nga provat materiale nuk e dëshmon që aktivistët e tyre kanë kryer këtë vepër penale.

E Sami Kurteshi veprimet e gjyqtarit Beqir Kalludra i cilëson si njëanshmëri politike.

“Gjykatësi Kalludra deri më tani në gjitha këto veprime ka dëshmuar se ai vuan nga një mungesë totale të etikës gjyqësore dhe ligjore”, tha Kurteshi.

Ai tha se Kalludra caktohet në të gjitha proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me veprimet politike të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ky me ose pa dashje është bërë pjesëtar i klanit ‘Pronto’ në sistemin e gjyqësisë së Kosovës ashtu siç jemi mësuar të dëgjojmë në dhjetëra raste për kapjen e sistemit të gjyqësisë nga ky klan por edhe nga klanet tjera që kanë karakter kriminal”, tha Kurteshi.

Vrazhdësia e Kalludrës, sipas Kurteshit, në menaxhimin  e proceseve gjyqësore kundër Lëvizjes Vetëvendosje është provuar edhe dje.

“Kjo vrazhdësi dhe egërsi jo vetëm profesionale por edhe njerëzore e tij, duket se i ka rrënjët në një urrejtje politike kundër Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Kuretshi.

Ndërkaq, Kurteshi ka përmendur edhe postimin e Kalludrës në profilin personal në Facebook.

“Edhe shpërfaqja e tij tregon se kjo nuk është vetëm rastësi. Kjo situatë e tij dëshmon se nuk është e rastësishme dhe në shpërfaqjen në statusin e tij në Facebook ai nxjerr dhe citon pjesë nga ideatori e udhëheqësi politik dhe ushtarak i nazizmit gjerman nga Adolf Hitler”, tha ai.

Me këtë rast sipas Kurteshit duhet të merret Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor.

Në ndërkohë ka përmendur edhe rastin e familjes Dehari.

Kurteshi tha se Prokuroria Themelore në Prizren ka hapur rrugën për një ekspertizë apo super-ekspertizë të rastit Dehari nga instituti zviceran.

Kurteshi tha se kjo deklaratë ka qenë e befasishme.

“Familja Dehari në bisedat që kemi pasur ka kërkuar hetim të plotë ndërkombëtar nga ky institut i mjekësisë ligjore, institute zviceran me renome botërore. Këtë familja ia ka shfaq edhe kryeministrit Haradinaj dhe ai ka premtu që kjo çështje do të merr rrugë brenda një kohe të shkurtër dhe tani kemi një muaj që kryeministri nuk është deklaru se çfarë është ndërmarr për të plotësu kërkesën e familjes Dehari”, tha ai.

Aktivistët e Vetëvendosjes u dënuan më 17 nëntor për sulmin e vitit të kaluar në ndërtesën e Kuvendit me granatahedhës.