Gjykimi i Eugjen Perlalajt - Foto: KALLXO.com

Dënim me gjobë për të akuzuarin që goditi me veturë të miturin

I akuzuari për rrezikim të trafikut publik, Eugjen Perlalaj, është dënuar nga Gjykata e Gjakovës me dënim me gjobë prej 300 euro.

Prokuroria po e ngarkon të njëjtin me veprën penale të rrezikimit të trafikut publik.

I pandehuri Perlalaj sot para gjyqtarit të çështjes, Mentor Bajraktari, deklaroi se e pranon fajësinë për veprën që i ngarkohet.

Prokurori Ismet Tofaj tha se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Ndërsa Arben Kryeziu, përfaqësuesi i të miturit të dëmtuar Q.K., theksoi para Gjykatës se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale.

Mirëpo i njëjti kërkoi nga Gjykata për përmbushjen e kompensimit të dëmit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjakovës, në korrik të vitit të kaluar, i pandehuri duke e drejtuar automjetin e tij të tipit “Cherokee”, si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë dhe nga pakujdesia e godet këmbësorin këtu të miturin Q.K.

I dëmtuari po e kalonte rrugën jashtë vendkalimit për këmbësor dhe nga goditja e automjetit i cili e gjuan në asfalt duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime dyshohet të ketë kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik.