Gjykimi për armëmbjatje pa leje | Foto: KALLXO.com

Dënim me Gjobë për Kërcënimin me Armë

Gjykata Themelore në Prishtinë përveç shqiptimit të gjobës, ia konfiskoi Maqedoncit edhe armën pa leje.

Aktakuza e ngritur nga ish-Prokuroria e Qarkut e ngarkonte Fehmi Maqedoncin se nga oborri i shtëpisë së tij në shkurt të 2006-ës kërcënoi Ismail Maqedoncin me armën e tipit “Karabinë” të kalibrit 7.9 milimetër.

Në seancën e zhvilluar të enjten, të dëmtuarit Ismail e Arsim Maqedonci, babë e bir, treguan se ishin duke e hapur një gropë në mezhdën mes pronës së tyre dhe të të akuzuarit dhe dheu kishte rënë edhe në anën e Fehmi Maqedoncit.

Pastaj, sipas tyre, kishte ndodhur një zënkë dhe më pas i akuzuari Fehmi Maqedonci kishte kërcënuar me armë.

Megjithatë, i dëmtuari Ismail Maqedonci që ka lidhje familjare me të akuzuarin, tha në gjykatë si ia fal gabimin Fehmi Maqedoncit.

“Unë ia fali gabimin që e ka bërë dhe nuk i bashkëngjitëm ndjekjes penale. Prej asaj kohe nuk kam pasë problem me të dhe nuk bëj kërkesë pasurore-juridike,” tha i dëmtuari.

Por prokurorja Habibe Salihu tha se nga provat gjatë gjykimit u vërtetua fajësia e të akuzuarit.

“Në shqyrtimet para këtij trupi gjykues u morën prova të ndryshme si  deklarata të dëshmitarëve që u përputhën me provat materialet siç janë foto-dokumentacioni i bërë në vendin e ngjarjes me rastin e marrjes së armës nga ana e policisë. Nga këto prova pa mëdyshje u provua se me veprimet e të pandehurit janë manifestuar elementet esenciale të veprës penale,” tha prokurorja Salihu.

Ajo kërkoi që Fehmi Maqedonci të dënohej edhe për faktin se nuk shprehu pendesë.

“I propozoj gjykatës  që duke marrë parasysh edhe sjelljen e të pandehurit, i cili nuk ka shprehur keqardhje, nuk është penduar për veprimet që ka bërë dhe të njëjtin ta shpallë fajtor,” tha prokurorja Salihu.

Ndërsa Ahmet Gjinovci, avokati i Fehmi Maqedoncit kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet, ose të dënohet me kusht.

“I mbrojturi im si në polici ashtu edhe në prokurori ka provuar se askënd nuk e ka kërcënuar dhe nuk ka pasë armë me vete, propozoj që mbrojtjes së të mbrojturit tim të ia falë besimin e plotë dhe të njëjtin ta liroj nga dënimi, nëse gjykata vendos ndryshe propozoj që ajo të shqiptojë dënim të kushtëzuar,” tha avokati Gjinovci.

Propozimet e tij avokati i arsyetoi me marrëdhëniet tashmë të shtensionuara mes të akuzuarit dhe të dëmtuarve.

“Tash raportet janë më të shëndosha dhe çdo vendim efektiv kishte me i keqësuar këto raporte e që nuk është qëllim as i gjykatës as i ligjdhënësit,” tha avokati Gjinovci.

Pastaj gjykata shqiptoi gjobën për Fehmi Maqedoncin.

Vepra me të cilën ngarkohej Maqedonci e parasheh dënimin me gjobë deri në 10 mijë euro apo burgim nga një e deri në dhjetë vjet.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët rreth dënimeve për armëmbajtje pa leje.

http://kallxo.com/vellai-i-agim-bahtirit-denohet-per-armembajtje-pa-leje/

http://kallxo.com/denim-me-burg-dhe-gjobe-per-armembajtje-pa-leje-dhe-lendim-trupor/

http://kallxo.com/700-euro-gjobe-per-armembajtje-pa-leje/