Ura e Gurit pas dëmtimit | Foto: Komuna e Vushtrrisë

Dëmtohet Ura e Gurit në Vushtrri

Është rrëzuar në orët e para të ditës së sotme një pjesë e Urës së  Vjetër të Gurit në Vushtrri.

Lajmin e ka bërë të ditur Komuna e Vushtrrisë me anë të njoftimi.

“Mbrëmë rreth orës 3 pas mesnate, nga pjesa e epërme anësore e urës, për të cilën historia thotë se është ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane apo edhe më herët në kohën e Perandorisë Romake, së bashku me bazën janë rrëzuar 36 blloqe të gurëve,” thuhet në njoftimin e komunës.

Sipas njoftimit komunal, pronarët e restorantit “Ura e Vjetër e Gurit”, i cili gjendet në hapësirat e afërta të këtij monumenti të lashtë të trashëgimisë kulturore, kanë informuar të gjitha institucionet komunale dhe ato qendrore për rrënimin.

Komuna në njoftim tregon se në vend të ngjarjes ka dalë policia për ta hetuar rrënimin e kësaj pjese të urës, duke vendosur shirita policorë dhe krijuar perimetrin e sigurisë.

Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri është njëri nga objektet kosovare të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme, ndërsa sipas Ministrisë së Kulturës është ndërtuar në shekullin XIV.

Ura kur u ndërtua shërbente për ta kaluar lumin Sitnica, por në shekullin XX ky lum devijon rrjedhën e tij duke e lënë Urën e Gurit një urë pa lum.

Në vitin 2014 Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar për restorantin që vepron te Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri, duke zbuluar se nuk ishte respektuar tërësisht kontrata e këtij biznesi me Komunën e Vushtrrisë për shfrytëzimin e ambientit rreth urës.

Biznes i Parregullt në Kurriz të Trashëgimisë

Redaktoi: Bekim Muhaxheri