I Dëmtohet Kanalizimi Mërgimtarit nga Fushë Kosova

Vetëm pasi erdhi në Kosovë, mërgimtari nga Zvicra Ramiz Aliu u njoftua me problemet të cilat po ndodhnin në oborrin e shtëpisë së tij.

Një kompani ndërtimi e cila po ndërtonte një objekt shumë afër shtëpisë së tij, kishte dëmtuar gypat e kanalizimit, me ç ‘rast Aliu që nga ardhja në Kosovë, nuk mund të shfrytëzonte ujin në shtëpi.

Aliu i cili është ankuar në KALLXO.com për problemin e tij, thotë që kompania “Euroinvest” i ka shkaktuar dëme në pronën e tij private.

“Prej se kam ardhë prej Zvicrës para 10 ditësh, nuk kam mujt me shfrytëzu kanalizimin për shkak të dëmtimeve të kompanisë  “Euro Invest” e cila po ndërton rreth shtëpisë time”, thotë ai.

Ai thotë që pavarësisht ankesave të cilat ai i ka dërguar në komunën e Fushë Kosovës, ata nuk i kishin kthyer përgjigje.

“Kam qenë në komunë i kam bërë disa ankesa, kanë dal inspektorati në vend të ngjarjes, kam kontaktuar edhe me kryetarin Burim Berisha, deri më tani nuk kanë marrë masa për sanimin e këtij problem, dhe për riparimin e kanalizimit”, thotë ai.

Në probleme të tilla Aliu nuk ka hasur vetëm këtë pushim, një gjë e tillë kishte ndodhur edhe para 10 muajve, kur thotë se i janë dëmtuar rrethoja dhe fasada e shtëpisë.

“Gjatë ndërtimeve, para 10 muajsh kanë bërë një gropim rreth shtëpisë time, kanë bërë një gropim 3 metra e  gjysmë edhe e kanë dëmtuar gardhin apo rrethojën. Unë kam ba disa ankesa, ju kam drejtuar inspektoratit, ju kam drejtuar kryetarit të komunës, nënkryetarit, dhe para disa javësh e kanë sanuar atë gropim, por rrethoja është e dëmtuar, fasada e shtëpisë është e dëmtuar”, shprehet ai.

Pasi ekipi i KALLXO.com doli ne vendin e ngjarjes për ta verifikuar dëmin, kompania “Euro Invest” pas disa orësh ka sanuar problemin, duke rregulluar kështu kanalizimin dhe duke mbyllur gropën qe kishin hapur afër oborrit të Ramiz Aliu.

Pronari Kompanisë “Euro Invest”, Rexhep Gjakolli thotë që pavarësisht që nuk është obligim tij, gypat në kanalizimin e dëmtuar i ka rregulluar.

“Unë kanalizimin ia kam rregulluar, rrethojat i ka rregulluar vet, ndërsa fasadën do t’ia rregullojë punëkryesi, pasi të përfundojnë punimet në ndërtesën afër shtëpisë së tij”, thotë Gjakolli.

Ai thekson që kompania e tij është vetëm investitor dhe ai nuk mban përgjegjësin nëse dikujt i shkaktohet dëm.

“Unë jam investitori, punëkryesi është tjetër kush, çka do që dëmtohet fajet i ka punëkryesi, dhe jo unë”, thotë ai.

Ndërkaq zëdhënësi i komunës së Fushë Kosovës Ali Topalli tha për KALLXO.com se problemi me kanalizimin është zgjidhur po atë ditë qe ekipi i KALLXO.com ka dalë në terren.

“Lidhur me rastin qe keni trajtuar ju, mund të ju informoj se problem është evitu me datë 15.04.2016. Konfirmimin e kam nga shërbimet tona qe janë kompetente ne zgjidhjen e këtyre problemeve”, tha Topalli.