Dëmtohet gypi, qytetarët që furnizohen nga Badovci mbesin pa ujë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” sh.a. (KRUP) përmes një publikimi në Facebook ka njoftuar të gjithë konsumatorët që furnizohen me ujë të pijshëm nga sistemi i fabrikës së trajtimit të ujit Badovc, se para pak çastesh është dëmtuar edhe një gyp i ujit i çelikut me diametër fi 600 mm.

Me këtë rast kompania është detyruar ta ndërpresë prodhimin e ujit nga fabrika e Badovcit deri në sanimin final të gypit.

Gypi në fjalë i cili furnizon një pjesë të madhe të kryeqytetit me ujë të pijshëm është dëmtuar nga kompania private ‘Gerlica, përgjatë punimeve në rrjetin e kanalizimit, në afërsi të gypit tjetër të ujit me diametër fi 600 mm që ka pëlcitur gjatë orëve të hershme të mëngjesit të ditës së sotme.

Ekipe të shumta të departamentit teknik të kompanisë kanë dalë në dy vendet e ngjarjes duke tentuar që të sanojnë në kohë rekorde 2 gypat dhe që të dytë gypa të rëndësishëm magjistral, që janë furnizuesit kryesore të një pjese goxha të madhe të Prishtinës me rrethinë.

Përjashtim nga mungesa e ujit bën vetëm Qendra Klinike Universitare e Kosovës QKUK-ja.