Kisha ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës | Foto: Atdhe Mulla

Demokracia Studentore: Kishës nuk do t’i Takojë Toka e UP-së

“Demokracia Studentore” vendimin e Gjykatës së Apelit pro kishës ortodokse në lidhje me tokën në kompleksin universitar e ka cilësuar “bërje të ligjshme të dhunës dhe masakrave të Millosheviqit në Kosovë”.

Mexhid Ramusa nga kjo organizatë studentore, sipas një komunikate të saj, ka thënë se toka në kampusin universitar kurrë nuk  do t’i takojë kishës së ndërtuar brenda këtij kampusi.

“Toka rreth 7 hektarë në të cilën gjendet Kisha Ortodokse Serbe në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, asnjëherë nuk do t’i takojë Kishës Ortodokse ‘Sveti Nikolla’”, ka thënë Ramusa.

Ai më tutje ka shfaqur shqetësimin për vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Ne studentët jemi të shqetësuar për vendimin e Gjykatës së apelit e cila ka vendosur pro kishës dhe kundër universitetit”, thuhet më tutje në komunikatë.

Organizata kujton se si u ndërtua kisha brenda hapësirës universitare në vitet ‘90.

“Gjykata e Apelit për bazë është dashur t’i marrë incizimet në inaugurimin e themelit të kësaj kishe ku në atë video shihen qartë tanke, autoblinda dhe mjete të tjera të blinduara të policisë serbe”, thuhet në komunikatë.

Dy ditë më parë KALLXO.com tregoi se UP-ja e humbi gjyqin për pronën rreth vendit ku është e vendosur kisha ortodokse, pasi përfaqësues të universitetit nuk u paraqitën në seancën ku po shqyrtohej ankesa e tyre.

http://kallxo.com/ekskluzive-humb-gjyqin-toka-ne-kampus-mbetet-kishes/

Dje rektori u Universitetit të Prishtinës Marjan Dema tha se ky universitet nuk do të heqë dorë nga prona rreth kishës ortodokse.

http://kallxo.com/pas-humbjes-ne-gjyq-nga-kisha-synon-kthimin-e-pronave-tjera/

Esat Kelmendi, sekretar i Universitetit të Prishtinës tha dje për KALLXO.com se universiteti do ta padisë përsëri kishën ortodokse në lidhje me pronën brenda kompleksit universitar.