Foto: Kallxo.com

‘Demokracia Plus’ tregon cilat ministri e komuna duhet të përmirësohen në prokurim

Organizata ‘Demokracia Plus’ ka organizuar tryezë diskutimi në lidhje me mbikëqyrjen e prokurimit publik në të cilën u shpalosen edhe dy raporte që kanë të bëjnë me monitorimin e Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe monitorimet e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Në tryezë u fol për ankesat dhe parregullsitë e institucioneve publike, dhe se çfarë probleme shqyrton KRPP-së përmes monitorimit dhe paanshmërinë e OSHP-së në ankesat e operatorëve ekonomikë.

Isuf Zejna nga ‘Demokracia Plus’ tha se problem kryesor është mungesa e transparencës dhe bashkëpunimit me Prokurorinë e vendit.

“Një prej çështjeve që i përcjellim hasim edhe me vonesën e tyre që paraqet shqetësim në vendimmarrje të rasteve”, tha Zejna.

Rrita Ismajli, hulumtuese në këtë organizatë, prezantoi monitorimin Ex-Post dhe Ex-ante të cilat, sipas saj, njihen për parandalimin e shkeljeve.

“Në bazë të raporteve të Demokracia +, institucionet më problematike që kërkojnë monitorim të vazhdueshëm nga KRPP-ja në nivel qendror janë: Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Shëndetësisë, MKRS, ndërkaq në nivel lokal komunat që duhet të monitorohen dhe t’i reduktojnë shkeljet janë Komuna e Prishtinës, Prizrenit, Gjilani dhe Ferizaj ku shihet qartë se tri vitet e fundit hallkat më të dobëta të prokurimit publik përsëriten në hartimin e kritereve specifike dhe në menaxhimin e kontratave”, tha Ismajli.

Ndërsa, anëtari i bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Sami Uka, tha se synimi i KRPP-së është ta rregullojë monitorimin e aktiviteteve të autoriteteve kontraktuese në Kosovë, ndërkaq vlerësoi raportin e prezantuar nga Demokracia +.

“KRPP është organ rregullativ që do të thotë që ta rregullojë një sistem. Kohëve të fundit me përdorimin e sistemit elektronik ne kemi ofruar shërbime për të gjitha palët e përfshira në aktivitetet e prokurimit elektronik. Ne e kemi zhvilluar shumë raportin e kontratave të shkruara. Sa më shpejt që ndrrohet ligji, aq më mire”, tha ai.

Më tej, Kryetari Organit Shqyrtues së Prokurimit, Blerim Dina, foli për transparencën e punës së këtij organi në shqyrtimin e ankesave.

“Seanca për shqyrtimin kryesor të cilat mbahen nga paneli shqyrtues deri më tani 75% janë mbajtur të hapura, por pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri do të mbahen 100%”, tha Dina.