Prezantimi i raportit të "Demokracisë Plus" | Foto: KALLXO.com

'Demokracia Plus': Mungesë Transparence në OSHP

“Demokracia Plus” gjatë monitorimit të seancave të Organit Shqyrtues të Prokurimit e ka konsideruar serioze mungesën e transparencës.

Isuf Zejna nga “Demokracia Plus” gjatë prezantimi të raportit “ (Pa) Drejtësi në Prokurim” tha se kemi monitoruar vetëm seancat publike të OShP-së.

“Sa i përket punës së OShP-së çështja e parë që jemi fokusua është mbarëvajtja e seancave të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Në këtë pjesë jemi pak të kufizuar pasi monitorojmë vetëm anën publike të seancave të OSHP-së ku kemi deklarimet e palëve, mirëpo kjo paraqet dikund 40 për qind të seancave të OShP-së”, tha Zejna.

Kreu i OShP-së Blerim Dina tha se me kapacitetet ekzistuese nuk mund të bëhet punë  më shumë dhe efikase.

“OShP me qëllim të trajtimit të rasteve në mënyrë më profesionale ka nevojë për staf profesional shtesë. Edhe pse kemi bërë kërkesë disa herë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, akoma nuk kemi marrë ndonjë përgjigje për aprovim të pozitave të kërkuara”, tha Dina.

Dina bëri të ditur se nga janari deri në prill në OSHP janë pranuar më shumë ankesa se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

“Gjatë periudhës janar-prill i kemi pranuar gjithsej 130 ankesa që nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, do të thotë që kemi pranuar 9 ankesa më shumë pasi që në periudhën e njëjtë janar-prill 2016 OShP ka pranuar 121 ankesa”, tha Dina.

Nga të gjitha vendimet që janë marrë nga OSHP-ja në vitin 2016 në këtë institucion janë pranuar vetëm tri padi.

Lidhur me seancat e mbajtura të OShP-së, kreu i këtij institucioni thotë se të gjitha seancat dëgjimore janë publike dhe mund të marrin pjesë të gjitha palët e interesuara, edhe pse në disa raste sipas Blerim Dinës nuk është e nevojshme të mbahen seanca me palë pasi që faktet dhe provat janë shumë të qarta dhe për të marrë vendime meritore.

Pikërisht Blerim Dina që ishte kryesues i panelit në seancën për tënderin nëntëmilionësh të ndërtimit të spitalit në Ferizaj, nuk i kishte lejuar ekipit të KALLXO.com në janar të këtij viti të xhirojë me kamera këtë seancë.

http://kallxo.com/oshp-nuk-lejon-kamerat-ne-seancen-per-tenderin-9-milionesh/

Shqipe Pantina foli për rolin mbikëqyrës të kuvendit ndaj këtyre institucioneve.

“Një pikë ku ka dështuar tërësisht për mendimin tim Kuvendi, është në rolin mbikëqyrës që e ka jo vetëm mbi      qeverinë mbi institucionet tjera të cilat janë drejtpërdrejt të varura nga Kuvendi“, tha ajo.

Sipas saj në shumë raste mungojnë mekanizmat e ndëshkimit të atyre që i shkelin rregullat ose ligjet në përgjithësi.

Stephen Carpenter, drejtori i projektit USAID Team foli për reformimin e prokurimit publik nëpërmjet këtij projekti.

“Ky projekt fokusohet në reformimin e prokurimit publik në nivel komunal duke punuar me të gjitha komunat në tërë vendin, në nivelin qendror, në agjencitë qeveritare siç është KRPP-ja dhe gjithashtu edhe Zyrën e Auditorit”, tha ai.

Ai foli edhe për perceptimin dhe korrupsionin në prokurim.

“Zyra e Auditorit thotë se shumica e vërejtjeve në auditime ka të bëjë me prokurimin. Në përgjigje të një hulumtimi të Odës Ekonomike Amerikane thotë se përmes manipulimeve të specifikimeve teknike e përfitojnë një kompani apo tjetër, apo afatet jo të favorshme eliminojnë konkurrencën”, tha Carpenter.

Në anën tjetër kreu i KRPP-së Safet Hoxha e vlerësoi si partnere shumë të rëndësishëm shoqërinë civile në këtë fushë.

“Tryeza e sotme është një moment që dëshmon fuqishëm atë partneritetin që institucionet e prokurimit publik kemi me organizatat e shoqërisë civile si partner shumë i rëndësishëm për vendosjen e rregullit në fushën e prokurimit publik”, tha Hoxha.

Raporti “(Pa) Drejtësi në Prokurim” thotë se gjatë periudhës tremujore dhjetor 2016- shkurt 2017, OshP-ja ka mbajtur 105 seanca dhe ka shqyrtuar 115 ankesa. Seanca të hapura dhe me qasje të palëve të treta 58 dhe 61 seanca tjera të mbyllura.

Raporti identifikon mungesë të rregullave gjatë seancave ku disa palë lejohen të flasin pa fund dhe të paraqesin pretendimet e tyre, e disa të tjerë ndërpriten. Numri i madh i ankesave rrezikon që shqyrtimi i rasteve të jetë  sipërfaqësor

Raporti i Demokracia Plus (D+) i rekomandoi OShP-së që të hapë për publikun të gjitha seancat në të cilat shqyrtohen ankesa e operatorëve ekonomikë në mënyrë që të sigurohet integritet dhe besueshmëri më e madhe.

Rekomandim tjetër ishte që OshP-ja të hartojë udhëzues apo rregullore për përfaqësimin e palëve në seancat e OShP-së, pastaj të bëjë përcaktimin e ekspertëve shqyrtues sipas një softueri apo rregulle që siguron paanshmëri në caktimin e lëndëve, si dhe të bëhet publikimi i ekspertizave duke përfshirë edhe ato teknike.