Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: ZKM

Demokraci Plus: Ramush Haradinaj po shfrytëzon resurset publike për promovimin e partisë

Demokraci Plus ka thënë se kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj po i shfrytëzon resurset publike për të promovuar partinë e tij.

“Janë shënuar disa raste ku Kryeministri i vendit, z. Ramush Haradinaj, po shfrytëzon resurset publike për qëllim të promovimit të subjektit politik që ai e udhëheq”, thuhet në një reagim të D+.

“Përderisa legjislacioni vendor e sanksionon çështjen e keqpërdorimit të zyrave publike dhe burimeve njerëzore vetëm gjatë procesit zgjedhor, i njëjti parim do të duhej të vlente edhe jashtë procesit zgjedhor. Në fotografitë e publikuara në faqen e Facebook-ut të z. Haradinaj ku ai kishte pritur një anëtar të Kuvendit Komunal të Prizrenit i cili kishte kaluar në AAK, shihet që takimi ishte mbajtur në objektin e kryeministrisë dhe në takim kishte edhe zyrtarë të kabinetit qeveritar që paguhen për punë të qeverisë e jo të AAK-së”, thuhet tutje në reagimin e organizatës jo- qeveritare.

D+ i bën thirrje kryeministrit aktual të vendit dhe zyrtarëve të tjerë publik që të mos keqpërdorin zyrat publike dhe resurset njerëzore për promovimin e partive politike.

“Kjo në parim paraqet keqpërdorim të zyrave publike dhe resurseve njerëzore. Të rikujtojmë që së fundmi Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka detyruar lideren e së djathtës franceze Marine Le Pen që t’i kthejë Parlamentit Evropian 300,000 Euro sepse me këto para ishte paguar një asistenti që nuk i kishte shërbyer asaj vetëm për punën në Parlamentin Evropian. I bëjmë thirrje z. Haradinaj por edhe zyrtarëve tjerë shtetëror që të mos keqpërdorin zyrat publike dhe resurset njerëzore për qëllime të subjekteve politike sepse përveç që dëmtojnë financiarisht buxhetin e vendit, tregojnë shembull të keq tek vartësit e tyre dhe për më tepër denigrojnë reputacionin e institucioneve të cilat duhet të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj pa dallime partiake”, thuhet në fund të reagimit të D+.