UP Demanton Lajmin për Hapjen e Konkursit për Studentë

Universiteti i Prishtinës ende nuk ka marrë vendim mbi hapjen e konkursit për pranim të studentëve të rinj.

Esat Kelmendi, sekretar i përgjithshëm i këtij universiteti tha se konkursi nuk është hapur sepse nuk kanë marrë ende konfirmim nga Ministria e Arsimit rreth numrit të studentëve që mund të regjistrohen.

“Kushtet e regjistrimit do të miratohen nesër në mbledhjen e Senatit, mbledhje kjo e caktuar ditë më parë. UP nuk ka pasur si të shpallë konkurs përderisa nuk ka pranuar kurrfarë vendimi zyrtar nga MASHT në lidhje me aprovimin e  propozimeve për numrin e studentëve që do të regjistrohen në nivelin Bachelor për vitin akademik 2017/18”, tha Kelmendi për KALLXO.com.

Në anën tjetër, dje MASHT kishte publikuar vendimet e marra mbi numrin e studentëve që mund të regjistrohen në gjashtë universitetet publike.

“Numri i studentëve që do të pranohen në shtatë universitetet publike të vendit për vitin akademik 2017/2018 është 15.255. MAShT njofton të gjithë kandidatët e interesuar për studime në universitetet publike se prej nesër do të fillojnë të hapen konkurset për pranim në universitetet në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj”, thuhet në njoftimin e MASHT.

Megjithatë, Kelmendi thotë se një vendim të tillë nuk e ka pranuar me shkrim Universiteti i Prishtinës.