Kryetari i dorëhequr i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku
Demaku: Ky Rast Është Krijuar për t’i Dënuar Dy Familje
Gjykata e Apelit ka mbajtur shqyrtimin e parë në rastin e njohur si “ Drenica 2”, ku të akuzuar janë Agim Demaj, Bashkim Demaj, Driton Demaj, Selman Demaj, Fadil Demaku, Nexhat Demaku, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Isni Thaçi e Sylejman Selimi.
Prokurori i Prokurorisë Speciale ka bërë ankesë për shkak se pretendon se Gjykata Themelore në Mitrovicë të akuzuarve i ka dhënë dënim të butë dhe ky dënim ndaj të akuzuarve nuk është në harmoni me natyrën dhe peshën e veprave që kanë shkaktuar të akuzuarit. Prandaj, ai ka kërkuar që të akuzuarve t’u shqiptohet dënim më i lartë.
Ndërsa, Gregory Gay Smith, avokat i Sylejman Selimit, ka bërë ankesë për të mbrojturin e tij.
Sipas tij aktgjykimi shkel nenin 7 të Kodit të Procedurës Penale, se aktgjykimi i shkallës së parë ka pretendime të rrejshme dhe se provat kanë qenë të pamjaftueshme për dënimin e tij. Ai pretendon se trupi gjykues ka bërë gabime materiale dhe procedurale duke mos marrë një gjykim të drejtë.
Mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë kërkojnë anulimin e vendimit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, lirimin e të akuzuarve nga akuzuat apo kthimin e rastit në rigjykim.
Gjithashtu, ata theksojnë se gjykata e shkallës së parë e ka mbështetur vendimin në prova të pavërtetuara si dhe kundërshtojnë deklaratën e dëshmitarit A.
Prokurori i Prokurorisë Speciale i ka kundërshtuar ankesat e të akuzuarve si të pabazuara, ndërsa edhe mbrojtësit e të akuzuarve i janë përgjigjur ankesës së prokurorit dhe e kundërshtuan atë.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, i përfshirë në këtë rast, tha se ky rast është i montuar politikisht dhe i krijuar për t’i dënuar dy familje ndërsa, sipas tij, pjesëmarrja e Sylejman Selimit këtë rast e ka bërë edhe më interesant për media.
“Në Gjykatën Themelore unë nuk e kam folë asnjë fjalë sepse kam besuar se gjyqtarët ndërkombëtarë mund të mashtrohen nga një dëshmitari të tillë si dëshmitari A. Me vendimin e shkallës së parë kam parë se ky proces nuk ka filluar për me qenë i drejtë por ka filluar për t’u dënuar grupi i Drenicës”, tha ai.
Po ashtu, sipas Demakut ky gjykim nuk është krijuar për krime lufte por për t’i dënuar dy familje, Demaj dhe Demaku. “Ndërsa përfshirja e Sylejman Selimit ka qenë pika e kësaj për të dhënë rëndësi më të madhe për publikun dhe mediat. Sylejman Selimi si ish-komandant dhe ambasador dhe se unë si kryetar i Komunës e ka bërë këtë rast më mediatik. Ky proces që ka ardhë deri këtu ka qenë politik”, theksoi më tej Nexhat Demaku.
“Ai dëshmitar e ka dhënë vetëm një dëshmi të vërtetë – se unë kam qenë ushtar i UÇK-së dhe shpresoj se ju do ta përmirësoni vendimin e gjykatës së shkallës së parë”, ishte fjala e Demakut.
I akuzuari Bashkim Demaj para kolegjit të Gjykatës së Apelit tha se ai dhe familja e tij e kanë ndihmuar familjen e dëshmitarit A dhe se deklarimet e tij janë të pavërteta.
“Mund të pyetet e gjithë Drenica se unë në atë kohë kam qenë në Shqipëri… Pyetni të gjithë Drenicën se a i kanë dhënë ndokujt ndonjë shuplakë vëllezërit Demaj. Dëshmitari a është paguar nga dikush për ta njollosur familjen tonë nuk e di. Familja ime dëshmitarin A dhe familjen e tij e ka mbajt me bukë por një fjalë popullore thotë “Buka jote t‘vret ” , ishte fjala e Demajt.
Edhe deputeti Fadil Demaku, i akuzuar në këtë rast, tha se dëshmia e dëshmitarit A nuk bën që të merret si bazë për dënimin e tyre.
“Familja e tij është për keqardhje, në kuptimin për të ndjerë dhembje për ta për shkak të problemeve psikike që kanë pasë gjeneratë pas gjenerate. Ata i kanë pasur kushte të vështira ekonomike dhe ne i kemi ndihmuar sepse kjo është në traditën shqiptare. Deklarata e tij është plotësisht e pavërtetë, nuk ka logjikë që për një muaj nga 24:00 e deri në 00:03 të natës ai qenka maltretuar çdo natë, pse ? Nuk ka asnjë logjikë”, tha i akuzuari Demaku.
Në seancën e së hënës i paraqitën deklarimet e tyre edhe mbrojtja e të akuzuarve Zeqir Demaku, Driton Demaj e Selman Demaj.
Shqyrtimi i radhës do të mbahet sot ku pretendimet në bazë të ankesave të tyre do t’i japin Sylejman Selimi dhe të akuzuarit e tjerë.
Vendimin për këtë rast kundër Sylejman Selimit dhe nëntë të akuzuarve tjerë e ka dhënë Gjykata Themelore e Mitrovicës.
Sylejman Selimi ishte dënuar me tetë vjet burg, Isni Thaçi dhe Jahir e Zeqir Demaku u dënuan me nga 7 vjet burg, ndërsa me 3 vjet burg ishte dënuar kryetari i Drenasit Nexhat Demaku, Fadil Demaku, Agim, Selman, Driton e Bashkim Demaj.
Aktakuza ngarkonte Sylejman Selimin, Isni Thaçin, Agim, Bashkim, Selman e Driton Demajn dhe Fadil, Zeqir, Nexhat e Jahir Demakun se një pjesë të veprave penale për të cilat akuzohen i kanë kryer në një datë të papërcaktuar të shtatorit 1998 në Likovc.
http://kallxo.com/sylejman-selimit-edhe-tete-vjet-burg-ne-drenica-2/
http://kallxo.com/tome-gashi-deshmia-e-deshmitarit-a-po-behet-e-pabesueshme/