Foto: VV

Delegacioni i LVV-së bën homazhe në varrezat e familjes Jashari

Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, i prirë nga nënkryetari Besnik Bislimi, nënkryetarja Fatmire Mulhaxha Kollçaku, drejtuesi i GP-së Glauk Konjfuca dhe deputetë e aktivistë të tjerë të Lëvizjes kryen homazhe sot në Prekaz tek varrezat e familjes Jashari në nderim të veprës dhe sakrificës së kësaj familje dhe luftës së UÇK-së për liri të Kosovës.

Bislimi tha se homazhet e sotme janë shenja përmes të cilës i tregojnë vetes dhe botës sesa shumë mbështeten te dëshmorët e familjes Jashari dhe te të gjithë dëshmorët e tjerë të kombit.

“Në këtë vend, 21 vite më parë Adem e Hamzë Jashari, kryeluftëtarët e lirisë ranë heroikisht bashkë me 56 anëtarë tjerë të familjes dhe treguan se e duan Kosovën dhe popullin e saj më shumë se veten. Ata na treguan gjithë neve dhe botës se si një familje e vetme mund ta ndryshojë rrjedhën e historisë dhe fatin e një populli. Ata dëshmuan se kur do diçka që nuk ke patur kurrë, mbase edhe duhet bërë diçka që s’e kishe bërë asnjëherë më parë”, tha Bislimi.

Me homazhet e përvitme, Bislimi tha se duan të dërgojnë tri mesazhe tek familja Jashari: Që duke sakrifikuar më të çmueshmen e tyre dhe më të dashurit e tyre, ata në fakt nuk i humbën familjarët e tyre, por i bartën ata tek secili prej nesh, nga marsi 1998 e deri në përjetësi. Që ne e kuptojmë drejt mesazhin e kësaj sakrifice dhe që mund t’i shikojmë ende në sy familjen Jashari duke konfirmuar që nuk kemi devijuar nga përpjekja për mbrojtjen dhe avancimin e amaneteve të tyre. Dhe që të gjithë së bashku nuk do lejojmë askë që të rrezikojë themelet e lirisë dhe sovranitetit tonë. Lavdi e përjetshme veprës dhe besimeve të tyre.

Gjatë këtyre homazheve edhe fëmijët e aktivistëve dhe deputetëve të Lëvizjes vendosën lule tek varret e familjes Jashari.