Delegacioni Gjerman Interesohet për Klimën e Investimeve

Një delegacion i përfaqësuesve të Komisionit për Çështje Evropiane nga landi gjerman Nordrhein-Westfalen gjatë takimeve me zyrtarë të institucioneve të Kosovës ka shprehur interesim për klimën e investimeve dhe bazën ligjore në këtë fushë.

Delegacioni është pritur nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili mysafirët i ka njoftuar për zhvillimet politike në Kosovë.

“Parlamentarët gjermanë u interesuan për zhvillimet politike në Kosovë, në mënyrë të veçantë për klimën e investimeve dhe bazën ligjore që Kosova ka ndërtuar në këtë fushë. Mysafirët nga Gjermania shprehën interesimin e tyre për qasjen e Kosovës ndaj investitorëve të huaj potencialë, veçanërisht atyre gjermanë, si dhe për pasuritë natyrore që posedon vendi ynë”, njofton Zyra për Informim e Kuvendit.

Ndërsa, kryekuvendari Veseli ka theksuar domosdoshmërinë e një pranie më të madhe të bizneseve gjermane në Kosovë.

Në këtë takim, sipas njoftimit nga Kuvendi, kryetari Veseli ka përmendur edhe prezencën e madhe të komunitetit shqiptar në Gjermani, duke e konsideruar atë një urë të rëndësishme lidhjeje dhe bashkëpunimi midis dy shteteve.

Ky delegacion është takuar edhe me Komisionin për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, i prirë nga deputetja e Nismës, Valdete Bajrami.

delegacioni gjerman

Nënkryetarja e Komisionit Valdete Bajrami ka theksuar se Komisioni ka qenë shumë aktiv drejt rrugës për në BE dhe shpreson që Kosova shumë shpejtë do të jetë në rrugën përfundimtare për një përgjigje pozitive në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave.

Ndërkaq, kryesuesi i delegacionit gjerman, Dr. Ingo Wolf vlerësoi angazhimet për zhvillimin ekonomik në vend, për të krijuar kushte punësimi për të rinjtë.

Edhe me Komisionin delegacioni gjerman shprehu interesimin për bazën ligjore që ka Kosova për investitorë të huaj, në veçanti ata gjermanë.

Gjithashtu është kërkuar një qëndrim rreth konflikteve parlamentare në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar që opozita me pozitën të punojnë së bashku për një zgjidhje të krizës politike.

Sa i përket krizës politike, deputetët nga radhët e opozitës u deklaruan se do të vazhdojnë me bojkotimin e seancave dhe të punës në komisione, dhe që takimi me delegacionin gjermanë ka qenë një përjashtim. Ata theksuan se zgjidhja e vetme për Kosovën janë zgjedhjet e reja.

Anëtaret e komisionit duke iu përgjigjur pyetjeve, theksuan lëvizjet pozitive për zhvillimin ekonomik te Kosovës me ratifikimin e MSA-së. Ata gjithashtu informuan delegacionin edhe rreth bazës ligjore për investitorë të huaj, pakos fiskale dhe asaj energjetike. Ky takim ka qenë i mbyllur për media.