Greg Delawie - Foto: KALLXO.com

Delawie kritikon Komunën e Deçanit për një rrugë

Projekti i Komunës së Deçanit për të ndërtuar një rrugë rreth zonës së mbrojtur ka ngjallur reagimin e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Ambasadori Delawie në një postim në profilin e tij në “Twitter” ka shkruar se Kosova duhet të mbrojë trashëgiminë e saj kulturore dhe të drejtat e minoriteteve dhe t’u përmbahet zotimeve ligjore gjatë ndërtimit të rrugës në Deçan.

“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare minohet kur skeptikët shohin Kosovën duke mos i respektuar ligjet dhe obligimet e saj”,  ka shkruar Delawie.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosajn.

“Ne jemi marrë vesh që punimet me fillu jashtë zonës së mbrojtur të Deçanit derisa ta kemi një takim me komisionin për monitorim dhe zbatim të zonave të veçanta, derisa të merret një vendim. Pra, punimet fillojnë jasht zonës se Deçanit”, tha Ramosaj për KALLXO.com.

Kryetari i Deçanit tha se këtë çështje pritet ta diskutojë me ambasadorin amerikan, i cili pritet ta vizitojë këtë komunë.