Delawie e Rama me pjesëtarë të FSK-së | Foto: MFSK

Delawie: FSK-ja Forcë e Besueshme

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie tha se ndihej mirë që në “Ditën e Forcës” është në mesin e pjesëtarëve të FSK-së, ndërsa shtoi se FSK ka krijuar respekt dhe besim në Kosovë.

Këto deklarata Ambasadori Delawie i bëri nën shoqërinë e ushtarëve të FSK-së dhe komandantit të saj Rrahman Rama.

Delawie tha më tutje FSK-ja po vazhdon të jetë e përkushtuar për mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve.

“Prej themelimit, Forca e Sigurisë së Kosovës ka fituar reputacionin e vet si forca më e besueshme dhe më e respektueshme në Kosovë, e edhe tani vazhdon të jetë e përkushtuar për mbrojtjen e sigurisë dhe të mirëqenies së gjithë qytetarëve të Kosovës,” tha Delawie.

Gjeneral-lejtënanti, Rrahman Rama gjatë kësaj vizite në Kazermën e FSK-së në Gjilan tha se FSK-ja është forcë që u ndihmon të gjithë qytetarëve.

“Me mbështetjen e autoriteteve civile dhe  me mbështetjen e të gjithë qytetarëve kemi dëshmuar se jemi një forcë multietnike që jemi në shërbim të qytetarëve dhe këtë do ta vazhdojmë. Synim joni kryesor është që të jemi sa më afër qytetarëve tanë,sepse jemi të thirrur për t’i mbështetur dhe përkrahur institucionet tona,” tha Rama.

Në anën tjetër, Ministria e FSK-së ka bërë të ditur se në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë për nder të “Ditës së Forcës”  u mbajt ceremonia e përfundimit të garave sportive.