Greg Delawie - Foto: KALLXO.com

Delawie: Është tragjike që nëna dhe bija nuk ishin të mbrojtura

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie është shprehur i trishtuar dhe zemëruar me vrasjen e dyfishtë në fshatin Brekoc të komunës së Gjakovës.

Delawie ka thënë se është tragjike se si nëna dhe bija nuk ishin të mbrojtura.

“I trishtuar dhe i zemëruar thellësisht nga vrasja e nënës dhe të bijës në Gjakovë. Është tragjike se ato nuk ishin të mbrojtura. Programi ynë ‘Sundimi i Ligjit’ është duke punuar me policinë, prokurorët, gjyqtarët për tu siguruar që ankesat për dhunë në familje të marrin vëmendje të menjëhershme”, ka shkruar Delawie në një postim në Twitter.

Para pak minutash, seanca gjyqësore për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas dhe vajzës në Brekoc të Gjakovës është ndërprerë pasi të dyshuarit Mark Nrecaj i është përkeqësuar gjendja.

Gazetarja e KALLXO.com raporton se përkeqësimi i gjendjes ka ndodhur pasi prokurori ka lexuar pretendimet e prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

40 vjeçari, Pjeter Nrecaj dyshohet se e qëlloi për vdekje ish-gruan dhe vajzën 9 vjeçare.

KALLXO.com raportoi se brenda pesë orësh Policia e Kosovës nuk kishte arritur ta identifikonte vendndodhjen e njeriut i cili po e kërcënonte  ish gruan e tij. Në raportet zyrtare të siguruara nga KALLXO.com viktima ishte ankuar në ora 16:00 në  polici se po kërcënohej nga ish-bashkëshorti i saj.

Në një përgjigje zyrtare për KALLXO.com, Policia e Gjakovës ka konfirmuar se ishte e njoftuar për kërcënimin por nuk kishte arritur ta identifikonte vendodhjen e dorasit.

“Në ora 16:00 viktima ka raportuar se është kanosur nga i dyshuari. Policia i janë përgjigjur rastit, kanë ndërmarrë veprimet operative duke e kërkuar të dyshuarin në shtëpinë e tij dhe në lokacione të ndryshme, është tentuar të kontaktohet edhe përmes telefonit por i njëjti nuk është paraqitur” ka thënë Lirie Podrimja zyrtare për informim në Policinë e Kosovës. Ajo nuk ka dhënë detaje pse shtëpia e viktimës nuk është vënë nënë mbikëqyrjen e policisë.

Të dhënat e siguruara deri më tani nga KALLXO.com flasin se çifti kishin probleme në të kaluarën.

Detajet për këtë janë konfirmuar nga kryeprokurori i Gjakovës Ali Selimaj. “Viktima është ankuar në polici për kërcënimin policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit dhe ka tentuar ta kontaktoj por ka qenë e pamundur”, ka thënë Selimaj.

Ai ka shtuar se dorasi është person i njohur për prokurorinë dhe ishte i njohur pasi ndaj tij ka një procedurë penale.

Selimaj ka përgënjeshtruar lajmet se i dyshuari ishte liruar dje nga paraburgimi. Në një bisedë për KALLXO.com, Selimaj ka konfirmuar se i dyshuari ishte në paraburgim nga data 12 maj deri në 6 qershor të këtij viti dhe ndaj tij ka një aktakuzë për dhunë në familje e cila është dorëzuar në gjykatë.

Në rrethana ende të pasqaruar një 40 vjeçare dhe vajza e saj u qëlluan për vdekje mbrëmjen e datës 7 gusht. Dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i 40 vjeçares. Çifti jetonin të ndarë prej disa muajsh dhe kisin pesë fëmijë dy prej të cilëve jetonin me të atin dhe tre me nënën.

Viktima siç mëson KALLXO.com është me prejardhje nga Tropoja ndërsa jetonte nga paslufta me familjen e saj në Gjakovë.

https://kallxo.com/mark-nrecajt-i-dyshuari-per-vrasjen-e-gruas-dhe-vajzes-nga-gjykata-dergohet-ne-spital/