Delawie: Dhuna në Familje Problem Serioz i Kosovës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie vlerësoi dhunën në familje si një ndër problemet më serioze me të cilat po përballet sistemi i drejtësisë dhe gjithë shteti i Kosovës.

“Edhe pse ka pasur progres ndër vite, problemet serioze vazhdojnë. Siç fatkeqësisht kemi lexuar në shtypin lokal, viktimat e dhunës në familje akoma nuk marrin shërbimet për të cilat kanë nevojë dhe sulmuesit akoma nuk dënohen për krimet e tyre,” tha Delawie.

Në Konferencën Vjetore të Forumit të Prokurorëve dhe Gjyqtarëve, ambasadori i Norvegjisë, Jan Braathu tha se sistemi i drejtësisë duhet të ketë diversitet në mënyrë që të jenë më i afërt me publikun.

“Gjyqësori duhet të reflektojë të gjithë komunitetin, jo vetëm një pjesë të vogël të tij. Publiku duhet të ndjejë se gjykata janë gjykatat e tyre, se po vendoset për rastet e tyre dhe ligjet po bëhen nga njerëz si ata dhe jo nga disa jashtëtokësorë,” tha Braathu.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi tha se e vlerëson lart rolin e gruas në shoqërinë kosovare, megjithëse gjatë historisë gratë nuk kanë pasur trajtim të barabartë me burrat.

“ Roli i femrës, i nënave tona ka qenë gjithmonë me ndikim në vendin tonë. Ajo ka mbetur dhe ka qenë shtyllë e familjes edhe nënat, gratë e vajzat tona,” tha Kuçi.

Kryesuesja e forumit , Biljana Rexhiq tregoi për aktivitetet dhe sukseset e këtij forumi që nga krijimi i tij në mars të vitit 2013.

“Për dy vjet angazhim dhe aktivitet që bëmë, ne bëmë maksimumin për arritjen e qëllimeve për të cilat jemi formuar. Kemi realizuar me sukses planet strategjike që ia kemi përcaktuar vetit siç është përpilimi i një doracaku për dhunën në familje,” tha Rexhiq.