Fotografi gjatë seancës për masën e sigurisë ndaj Shaip Zukajt. Foto: Kallxo.com

Del Para Gjyqit Për Vrasje i Ekstraduari nga Belgjika

Shaip Zukaj,është arrestuar nga Policia e Belgjikës me 5 janar të këtij vitit në bazë të fletë rreshtimit ndërkombëtar të lëshuar nga shteti i Kosovës, nën dyshimet për vrasje dhe tentim vrasje në vitin 2011 në Deçan.

Shaip Zukaj nga fshati Beleg i Deçanit, dyshohet se në vitin 2011 me pushkë automatike ka vrarë Zymer Dervishajn dhe plagosur Adil Thaçin, në tregun e gjelbër të Deçanit.

Shaip Zukaj, para gjyqtari të procedurës paraprake tha se e ka emrin edhe Shaban, ndërsa bëri të ditur se është arrestuar më 5 janar nga Policia Belgjikës.

Prokurori i rastit, Agim Kurmehaj, tha se për rastin në fjalë kishin nisur hetimet në vitit 2011 kur, sipas tij, janë dëgjuar disa dëshmitarë dhe janë siguruar edhe prova.

Mirëpo, prokurori tha se hetimet ishin pezulluar për shkak së i dyshuari Shaip Zukaj gjendej në arrati.

“Më 27.09.2011 kemi marrë aktvendim për fillimin e hetimeve. Gjatë kësaj periudhe kohore kemi proceduar një numër të caktuar të dëshmitarëve janë gjetur numër i caktuar i provave materiale. Meqenëse këtu i pandehuri ka qenë i pakapshëm për organet e ndjekjes, me datë 04.01.2012 kemi marrë aktvendim për pezullimin e hetimeve. Kemi lëshuar të gjitha masat për sigurimin e prezencës të pandehurin për këtë vepër penale me urdhër arrest vendor dhe ndërkombëtar, dhe si rezultat i tyre është ndaluar dhe ekstraduar,” tha prokurori Kurmehaj

Ai shtoi se sot është marrë aktvendimi që të fillojnë hetimet kundër të pandehurit, Shaip Zukaj.

Prokuroria kërkoi që gjykata të dyshuarit t’ia caktojë masën e paraburgimit.

Zukaj dyshohet për tri vepra penale, vrasje e rëndë, tentim vrasje, dhe armëmbajtje pa leje.

Kurmehaj tha së kërkesa e paraburgimit ka mbështetjen ligjore sepse, sipas tij, ekziston rreziku i arratisjes, ndikimit në dëshmitarë apo përsëritjes së veprës penale nëse i pandehuri mbrohet në liri.

Ai tha se kërkesa është e mbështetur tek deklarimet e dëshmitarëve dhe provat materiale të sigurua nga prokuroria.

Avokati, Armand Krasniqi, mbrojtës i të dyshuarit, Shaip Zukaj, kundërshtoi kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit për klientin e tij.

Ai tha se mbrojtja nuk e di fare në çfarë prova thirret prokuroria, ngase në asnjërën prej tyre nuk ka pasur qasje.

“Të gjitha ato prova mbrojta nuk ka pasur mundësi t’i shohë dhe në ketë mënyrë mbrojtja konsideron se janë mjaftë diskutabile, mbi të cilat prokurori pretendon t’i caktohet masa e paraburgimit. Në ketë kuptim e kundërshtojmë në faktin se nuk e dimë në për çfarë prova bëhet fjalë”, tha avokati Krasniqi.

Avokati Krasniqi kërkoi që ndaj të dyshuarit gjykata të caktojë ndonjë masë tjetër alternative, e jo atë të paraburgimit.

Kurse vetë i pandehuri, Shaip Zukaj, i quajtur edhe Shaban, tha se mbështet kundërshtimet e bëra nga avokati i tij, mirëpo ai dëshiron të mbrohet në heshtje.

“Për momentin kërkoj mbrojte të heshtur sepse nuk jam i përgatitur edhe s’jam psiqikisht mirë për mu përgjigjë,” tha i dyshuari.