Gjykimi për vrasje - Foto: KALLXO.com

Del para gjyqit i akuzuari për vrasjen e motrës duke e goditur 14 herë me thikë

Në Gjykatën e Prizrenit është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit për vrasjen mizore të motrës së tij.

Senad Kullaj nga Shkodra po akuzohet se në vitin 2013, në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta në mënyrë mizore motrën Ingrid Kullaj, i shtyrë nga motive të ulëta.

Aktakuza është e vitit 2018, pasi që i njëjti ka qenë në arrati dhe i paarritshëm për organet e drejtësisë.

Kapja dhe sjellja e të pandehurit në Gjykatën e Prizrenit është arritur pas lëshimit të fletë-arrestit ndërkombëtar, raporton KALLXO.com.

Kullaj është ekstraduar nga Shqipëria në Kosovë.

Në shqyrtimin gjyqësor në seancën e drejtuar nga Raima Elezi kryetare e trupit gjykues dhe Sabahete Kurtishi dhe Vjollca Buzhala anëtare, ka dëshmuar Iftiman Kurtaj, me profesion taksist, i propozuar nga prokurori i çështjes Mehdi Sefa.

I njëjti rrëfeu se në ditën kur pretendohet se ka ndodhur ngjarja këtu i akuzuari Senad Kullaj, kishte marrë taksi nga Vërmica për në Prizren dhe më pastaj në orët e hershme të datës 4 qershor e kishte thirrur për ta kthyer deri në Shkodër.

Dëshmitari rrëfeu se nuk kishte parë ndonjë sjellje të çuditshme tek i akuzuari Senad Kullaj por as të personi tjetër, Sead Halilaj, të cilët gjatë kohës sa po ktheheshin në Shkodër kanë biseduar në mes vete, raporton KALLXO.com.

Më tutje kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, në mungesë të 2 dëshmitarëve të tjerë të ftuar e ndërpreu shqyrtimin gjyqësor dhe i njëjti do të vazhdojë më 25 janar, kur do të ftohen dëshmitarët tjerë të propozuar nga Prokuroria e Prizrenit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Senad Kullaj, avokati Ndrec Dodaj, kundërshton aktakuzën.

Sipas tij, Prokuroria Themelore Prizren po e akuzon personin e gabuar, sepse sipas tij këtu i akuzuari Senad Kullaj nuk e mohon faktin se ka qenë në Prizren për të takuar motrën e tij, por në asnjë mënyrë nuk e ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet.

Sipas avokatit Ndrec Doda është e palogjikshme që i njëjti të ketë vrarë motrën e tij duke e goditur 14 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.

Avokati tha se të gjitha këto do të vërtetohen pasi që të dëgjohen dëshmitarët, edhe pse i akuzuari deri më sot nuk është deklaruar asgjë lidhur me këtë çështje.

Sipas avokatit, kur i akuzuari do të deklarohet dhe kur do të japë mbrojtjen e vet do të vërtetohet dhe do të zbardhet fakti se i njëjti në asnjë rrethanë nuk e ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet, raporton www.kallxo.com.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ngjarja e ndodhur në qershor të vitit 2013 në Prizren, ku viktima Ingrid Kullaj është vrarë në mënyrë mizore nga  vëllai i saj Senad Kullaj, ka ndodhur ndërmjet orës 03:00 dhe 06:00 të mëngjesit, kur i akuzuari Senad Kullaj sipas aktakuzës së bashku me Sead Halilajn kanë ardhur për ta vizituar viktimën Ingrid Kullaj, e cila ishte duke punuar si këngëtare- valltare në Mitrovicë, të njëjtit janë takuar në Prizren.

Sipas aktakuzës pasi që i akuzuari Senad Kullaj pasi që nuk ishin pajtuar me motrën Ingrid lidhur me punën e saj si valltare dhe këngëtare në lokalet e natës, i akuzuari Senad Kullaj papritmas me thikë me teh 21.3 centimetra, fillon ta godas motrën në pjesë të ndryshme të trupit, në shpinë, disa herë në kokë e në qafë.

Sipas aktakuzës nga goditje me thikë në pjesët e përparme të qafës, viktimës iu kishin dëmtuar rrugët e ushqimit, dhe të frymëmarrjes dhe kishte këputur enët e gjakut dhe nervat në atë pjesë, me ç’rast ka ardhur deri të vdekja e dhunshme si pasojë e gjakderdhjes masive nga plagët e shumta prerëse e shpuese.