Gjykimi i Etem Arifit - Foto: KALLXO.com

Del Para Gjyqit Deputeti i Akuzuar për Mashtrim me Subvencione

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi, para se të shkojë në Kuvend në seancën për Demarkacionin, u përball fillimisht me drejtësinë, në lidhje me akuzat ndaj tij për mashtrim me subvencione dhe ushtrim të ndikimit.

Në këtë rast i akuzuar është edhe Bajram Gashi.

Në seancën e sotme të gjykimit dëshmoi ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Eshref Shabani.

Shabani ishte dëshmitar i ftuar nga prokurorja Drita Hajdari.

Gjatë dëshmisë së tij, Eshref Shabani foli për kohën sa ushtronte funksionin e sekretarit të MPMS-së në lidhje me subvencionin e ndarë nga kjo Ministri për organizatën joqeveritare “Zëri i Ashkalinjëve për Integrim”, drejtor i së cilës ishte i akuzuari Bajram Gashi.

Dëshmitari deklaroi se nuk kishte dëgjuar për këtë organizatë para se zyrtarë të Policisë ta intervistonin në lidhje me subvencionin e ndarë për këtë organizatë.

“Nuk kam dëgjuar më herët për këtë organizatë, para se të merrem në pyetje nga Policia, edhe pse letrat më kanë kaluar nëpër dorë por s’më ka folë ndonjë gjë emri i kësaj OJQ-je”, deklaroi Shabani, raporton kallxo.com.

Më tej, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë rrëfeu për takimin në mes të ish-ministrit të MPMS, Nenad Rashiq dhe të akuzuarit Etem Arifi, atëbotë deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Deputeti ka ardhë në Ministri në takim te ministri Nenad Rashiq por nuk më kujtohet koha”, deklaroi dëshmitari.

Madje, Shabani rrëfeu edhe për komunikimin që kishte me ish-ministrin Rashiq pas takimit që ky i fundit kishte me të akuzuarin Etem Arifi.

“Me ministrin e kemi biseduar që ka qenë një kërkesë e deputetit Etem Arifi me financu këtë OJQ (‘Zëri i Ashkalinjëve për Integrim’)”, deklaroi para Gjykatës dëshmitari.

Sipas tij, ky lloj lobimi i një deputeti te një ministër për subvencione për një komunitet është ‘detyrim dhe obligim’.

“Konsideroj që është detyrë dhe obligim i një të zgjedhuri që të lobojë dhe t’i ndihmojë komunitetit të tij”, tha dëshmitari.

Mbrojtja e të akuzuarit Etem Arifi nuk kishte ndonjë pyetje për dëshmitarin, ndërkaq mbrojtësi i të akuzuarit tjetër, Bajram Gashi, e pyeti dëshmitarin në lidhje me disa rregullore.

“Kur ju ka dhënë subvencioni kësaj OJQ-je, nuk ka qenë në fuqi rregullorja e UNMIK-ut që përmendi avokati”, deklaroi dëshmitari, raporton KALLXO.com.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Gashit, Bahtir Trushupa, kërkoi që të ftohen edhe tre dëshmitarë të tjerë, që sipas tij, do të provonin faktin që i akuzuari Etem Arifi ka qenë ‘udhëheqësi i kësaj OJQ-je”, por pas kundërshtimit të prokurores Drita Hajdari dhe mbrojtjes së Etem Arifit, trupi gjykues refuzoi këtë kërkesë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, deputeti Etem Arifi akuzohet për veprat penale – mashtrim me subvencione dhe ushtrim të ndikimit, ndërkaq Bajram Gashi akuzohet për veprën penale – mashtrim me subvencione.

“Sipas marrëveshjes paraprake dhe në bashkëkryerje, nga muaji dhjetor 2012 e deri në korrik të vitit 2013, në Prishtinë, (të akuzuarit) kanë përdorur në kundërshtim me ligjin subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për tri projekte për edukimin dhe integrimin e komuniteteve RAE në shumë prej 22,900.00 Euro si dhe subvencionin nga Zyra e Kryeministrit për integrim në shumë prej 2,749.00 Euro për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali”, thuhet në aktakuzë.

Më tej, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Bajram Gashi kishte përdorur informacion të pasaktë në lidhje me OJQ-në me qëllim të përfitimit të subvencioneve, ndërkaq i akuzuari tjetër Etem Arifi, ka përdorur ndikimin e tij si deputet për të përfituar subvencionet nga MPMS.