Seanca ndaj të pandehurit që dyshohet se e kanosi gjykatësin - Foto: KALLXO.com

Del Para Gjykatës i Dyshuari për Kanosje Ndaj Gjykatësit

Ka dalë para Gjykatës së Prizrenit i dyshuari me inicialet K.B., i cili akuzohet për veprën penale kanosje.

Në seancën paraprake të mbajtur sot, i pandehuri deklaroi se do të jetë kooperativ gjatë kësaj procedure.

“Unë shpreh pendesë për veprimet e ndërmarra, andaj nga Gjykata kërkoj që ndaj meje mos të caktohet masa e paraburgimit”, tha K.B.

Pas përfundimit të seancës paraprake, gjyqtarja e rastit mori aktvendim sipas të cilit të pandehurit K.B. i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit të tij.

Për shkak të dyshimit të bazuar, më 29.01.2018 rreth orës 13:00, në Gjykatën Themelore në Prizren, pikërisht në zyrën 208, kanos seriozisht  personin zyrtar në fjalë, vepra apo gjeste në lidhje me punën apo pozitën e tij, në atë mënyrë që në një seancë gjyqësore në cilësinë e të akuzuarit, gjatë tërë seancës i është kanosur të dëmtuarit gjyqtarit L.B. me fjalët: “Nëse unë shpallem fajtor ti do të kesh punë me mua”.

Po ashtu, edhe në prezencën e zyrtarëve policorë i është kanosur të njëjtit me fjalët: “Unë dhe ti do shihemi përsëri. Ti ke punë me mua”, me ç’rast me këto veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar ankth dhe frikë si dhe ia ka rrezikuar sigurinë personale.