Foto: Atdhe Mulla
Dekorata për Policët Specialë
Në vitin me shumë protesta dhe shumë punë për policinë, Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, i ka dekoruar me medalje dhe mirënjohje pjesën më të madhe të udhëheqësve të njësive të specializuara.
Medalja më e lartë “Mburoja e Policisë” i ka takuar togerit të njësive speciale, Besart Ahmeti.
Togeri i njësive të specializuara u bë i njohur pas protestave të dhunshme të opozitës në janarin e këtij viti kur mori lëndime në sy.
Ahmeti u kthye në njësitë speciale vetëm pas një tretmani disajavor në Turqi.
Në fjalën e tij në ceremoninë e përvitshme të ndarjes së medaljeve kryepolici Shpend Maxhuni ka thënë se Policia e Kosovës është faktor në sigurinë e vendit dhe rajonit.
“Sot nuk ka vlerë më të madhe se sa të punosh për vendin dhe të ardhmen e tij, për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për këtë fakt vlerësoj se jemi me fat”, ka thënë Maxhuni.
Puna e policisë gjatë vitit 2015 e ka bërë të ndihet krenar edhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Skender Hysenin.
“Ne duhet të ndihemi krenarë si shtet, jemi të bekuar që kemi një polici të trajnuar mirë dhe profesionale. Nuk do të lejojmë që individë e raste te izoluara të prishin imazhin e Policisë së Kosovës”, ka deklaruar Hyseni.
Në fjalën e tij para eprorëve e policëve, Hyseni nuk ka dhënë ndonjë premtim konkret për përmirësimin e kushteve të punës në policisë përfshirë sigurimin jetësor e atë shëndetësor.
Të drejtat në punë të policëve i ka përmendur në fund të fjalimit të tij i pari i policisë, Shpend Maxhuni ‘
“Një theks të veçantë duhet t’i kushtojmë mbështetjes dhe përkrahjes që vazhdimisht kemi nga qeveria e vendit. Këtë vit arritëm që të kemi edhe draft ligjin për pensionimin e zyrtarëve policorë dhe për këtë fakt më duhet të falënderoj personalisht ministrin Hyseni”, ka deklaruar Maxhuni.
Gjatë vitit 2015, Policia e Kosovës u përball me sfida të mëdha përfshirë menaxhimin e një varg protestash të dhunshme. Megjithë këtë raportet e policisë për këtë vit tregojnë për një rënie prej 11.57% të veprave penale në përgjithësi.