Deklarojnë Pafajësinë të Arrestuarit te Liqeni i Badovcit

Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi u deklaruan të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Deklarimin e pafajësisë nga katër të akuzuarit e konfirmoi për KALLXO.com Bajram Tmava, avokati i Milazim Haxhiajt.

Sipas Tmavës, i mbrojturi i tij u deklarua fajtor vetëm për armëmbajtje pa leje.

“I mbrojturi im e ka kundërshtuar akuzën, e ka pranuar fajësinë për revolen, ndërsa pjesën tjetër e ka kundërshtuar në tërësi. Unë do të paraqes kundërshtimin tim ndaj kësaj aktakuze dhe do t’i sfidoj të gjitha institucionet e drejtësisë dhe kjo çështje ka edhe konotacion politik,” tha Tmava.

Këta pesë persona u arrestuan në mëngjesin e 11 korrikut nga Policia e Kosovës në afërsi të Liqenit të Badovcit nën dyshimet për përgatitje të sulmeve terroriste.

Tmava kur foli për KALLXO.com mohoi se i mbrojturi i tij është i përfshirë në këtë rast.

“Unë e mbroj në këtë çështje penale Milazim Haxhiajn. E mbroj që nga fillimi kur është iniciuar procedura penale kundër tij. Unë disa herë kam thënë se i mbrojturi im as de facto, as de jure nuk ka qenë i involvuar në atë çka thuhet në aktakuzë,” tha Tmava.

Mospërfshirjen e të mbrojturit të tij në aktivitetet për të cilat akuzohet e pretendon edhe Blerim Qela, avokat i Fehmi Musës.

“Sot është mbajtur seanca fillestare ku prokurori ka lexuar aktakuzën ku në pikën dy është i përfshirë edhe i mbrojturi im dhe i cili akuzohet për ndihmë. I mbrojturi im është i pafajshëm, e ka kundërshtuar akuzën dhe provat sepse ai ka një licencë taksi zyrtarisht dhe në bazë të thirrjes nga shoku i tij në orën dy pas mesnate ka shkuar për t’i marrë me qëllim që të përfitojë materialisht,” tha Qela.

Aktakuza sqaron se pesë të pandehurit kanë shkuar tek liqeni i Badovcit me qëllim që të incizojnë një video propaganduese në të cilën kanë pasur për qëllim ta lexojnë betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste ISIS.

Grupi, sipas prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojnë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit Shtetit Islamik në Republikën e Kosovës, thuhet në aktakuzë.

Për ta realizuar videon, sipas aktakuzës, të pandehurit ishin pajisur me një kallashnikov dhe pesë karikatorë, uniforma ushtarake, maska si dhe një flamur të organizatës ISIS.

Avokati Tmava tha se do ta vërtetojë që klienti i tij pa dashje ishte në vendin ku pretendon aktakuza.

“Unë besoj që gjatë shqyrtimeve gjyqësore do t’i argumentoj dy çështje. E para që i mbrojturi im nga naiviteti dhe besimi ka qenë në vendin ku pretendon akuza dhe e dyta që me asnjë veprim s’ka mu dëshmu dashja e klientit tim,” tha Tmava.

Kur u arrestuan pesë të akuzuarit u ngritën dyshime se ata kishin për qëllim helmimin e ujit të këtij liqeni, nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm një pjesë e banorëve të Prishtinës.

http://kallxo.com/policia-perforcon-badovcin-nisin-patrullimet-me-barke-video/

Pastaj Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ndërpreu furnizimin me ujë nga ky liqen, derisa Instituti i Shëndetit Publik të analizojë këtë ujë.

http://kallxo.com/ndalet-uji-nga-badovci-pas-dyshimit-per-akt-terrorist/

 

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale në asnjë vend nuk përmendet se te të akuzuarit është gjetur helm, ose se ata kishin për qëllim helmimin e ujit.

http://kallxo.com/zbardhet-plani-i-te-arrestuarve-te-isis-te-liqeni-i-badovcit/