Deklarohet i Pafajshëm i Akuzuari për Vjedhje

Pasi Shalës iu lexua aktakuza, ai nuk e pranoi fajësinë.

“E kam kuptuar aktakuzën me të cilën më ngarkon prokuroria dhe nuk e  ndiej veten fajtor për veprat me të cilat ngarkohem,” tha Shala.

Avokatja Fehmije Bytyqi, mbrojtëse e të akuzuarit kërkoi nga gjykata zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak për klientin e saj.

Me këtë kërkesë nuk u pajtua prokurorja që tha se ende vlejnë rrethanat për të cilat i është caktuar paraburgimi Shaban Shalës.

Gjykata pastaj refuzoi propozimin e avokates për zëvendësimin e paraburgimit.

Seanca e radhës e këtij gjykimi u caktua më 18 korrik.

Shala nga Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzohet se në vitin 2015  ka hyrë në një biznes në Lagjen “Veternik” të Prishtinës dhe ka marrë para dhe ari në vlerë afro 50.000 euro.

Sipas aktakuzës, edhe në dhjetor të 2015-ës Shala ka tentuar të hyjë në një qendër tregtare së bashku me disa persona nëpërmjet mureve me qëllim të grabitjes, mirëpo grabitja nuk është realizuar pasi tentim-grabitësit janë hetuar nga roja e objektit.