Studentët e SKV gjatë një proteste muajin e kaluar në kërkim të lirimit të kolegëve të tyre.

Deklarohen të pafajshëm studentët e SKV-së

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur shqyrtimi fillestar në gjykimin ndaj studentëve të SKV-së të akuzuar për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Sipas burimeve të KALLXO.com, ndonëse seanca ishte e paraparë të fillonte në orën 13:00 e njëjta ka filluar me një orë vonesë pasi që Policia nga rajoni i Fushë Kosovës deri në orën 14:00 nuk e kishte sjellë në Gjykatë të akuzuarin Pajtim Demaj.

Në seancën e shqyrtimit fillestar pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit, të akuzuarve Pajtim Demaj, Korab Muhadri, Endrit Shatri, Januz Shatri, Kreshnik Gega dhe Hajredin Krasniqi, janë deklaruar të pafajshëm në lidhje me veprën penale e cila u vihet në barrë.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi edhe avokati Haxhi Millaku, i cili tha se ai kishte kërkuar nga Gjykata që ta ndërpres masën e arrestit shtëpiak për të akuzuarit me arsyetimin se të gjithë të akuzuarit janë studentë dhe se tani fillon edhe afati i qershorit, kërkesë kjo e cila ishte mbështetur nga të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë por që kishte rezultuar me refuzim nga ana e Gjykatës, me ç’rast është vendosur që të akuzuarit edhe më tej të qëndrojnë nën masën e arrestit shtëpiak.

http://kallxo.com/lirohen-aktivistet-e-skv-se-nga-paraburgimi/

Sipas aktakuzës, më 12 prill të këtij viti në orët e mbrëmjes në Prishtinë në rrugën “Hamëz Jashari” në Parkun e Qytetit, pas informimit të marrë se në atë lokacion kishte një tubim të qytetarëve të cilët ishin mbledhur pa lejen e organit kompetent, një masë prej 90-100 persona, dhe se aty po konsumohej alkool, në vendngjarje ka shkuar Policia e Kosovës.

Zyrtarët policorë fillimisht kanë kërkuar të bisedojnë me organizatorin e mbrëmjes, ku edhe kanë kuptuar se mbrëmja organizohej nga organizata studentore “Studim, Kritikë, Veprim” (SKV), dhe si organizator ishte paraqitur tanimë i akuzuari Januz Shatri.

Sipas Prokurorisë, nga Januz Shatri ishte kërkuar që të shoqërohet në stacionin policor pasi që i njëjti përkundër pohimit kinse kanë leje për një organizim të tillë, nuk e kishte prezantuar dhe në momentin që i njëjti është udhëzuar për në stacionin policor, thuhet se ai ka reaguar dhe me qëllim i ka sulmuar policët prezentë, e me të vërejtur këtë, ka eskaluar situata dhe kanë filluar edhe të akuzuarit e tjerë t’i sulmojnë policët, duke i gjuajtur me tasa të plastikës të cilët kishin birrë.

Më tej thuhet se të akuzuarit kanë filluar që të përleshen me pjesëtaret e Policisë duke i goditur me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast lëndime të lehta trupore kanë marrë tani të dëmtuarit – policët: Zjarr Gashi, Agon Haxhaj, Blerim Bajrami, Agon Elshani, Murat Canolli, Gëzim Azemi dhe Mehmet Fazliu.

http://kallxo.com/kurti-nuk-ka-burg-qe-e-ndal-aktivizmin-studentor/

Me pretendimin se të akuzuarit i kanë kryer këto veprime të lartcekura, të njëjtit akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.