Foto: Nga një takim i mëhershëm i Bordit për Sundimin e Ligjit

Deklarata e Kuçit Anulon një Takim të EULEX-it

Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) njofton se për shkak të një deklarate të ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, rreth një procesi gjyqësor, është anuluar një takim i paraparë për sot i Bordit të Përbashkët për Sundimin e Ligjit (BPSL) për të rishikuar progresin dhe forcuar qasjen e përbashkët për sundimin e ligjit në Kosovë.

Në takim do të duhej të merrnin pjesë shefi i EULEX-it, Përfaqësuesi Special i BE-së, dhe zyrtarë të lartë të gjyqësorit të Kosovës, duke përfshirë ministrin e Drejtësisë. Takimi i BPSL-së shtyhet për një datë tjetër, njofton EULEX.

“Mbrëmë, në një intervistë televizive, ministri i Drejtësisë ka dhënë mendimin e tij lidhur me meritat e një rasti penal të profilit të lartë në Gjykatën e Apelit dhe e ka vënë në pyetje vendimin të cilin e kanë marrë gjyqtarët në Gjykatën Themelore në Prishtinë. EULEX-i thekson se deklaratat e tilla mund të perceptohen si frikësim dhe ndërhyrje politike. Autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë që gjyqësori të gëzojë mbështetjen e duhur për të gjykuar në një mjedis të paanshëm”, thekson Misioni Evropian në një komunikatë.

Në emisioni “Republika”, në “Tribuna Channel”, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, duke folur “si jurist e jo si ministër i Drejtësisë“ për gjykimin e kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, ka thënë se ky rast “është bukur absurd”.

“Nuk ka askund aktgjykim që mund të jetë pa prova. Nuk ka askund në botë që mund të ketë vrasje pa u identifiku personat dhe pa u konstatu që ka ndodhë nga ai”, ka thënë ministri Kuçi, duke shtuar se mendon që Gjykata e Apelit do ta marrë vendim korrekt për këtë rast.