Dekani i Fakultetit të Arteve i ‘Mbijeton’ Kërkesës për Shkarkim
Kërkesën për inicimin e shkarkimit e bëri profesori Xhevdet Pantina, i cili konsideroi se dekani Agim Selimi ka bërë veprime të kundërligjshme në Fakultetin e Arteve.
Por të gjitha akuzat ndaj tij, dekani Selimi i quajti shantazhe dhe kërcënime.
“Ky fakultet ka emra të mëdhenj, këta emra nuk munden me ra në nivele të ulta, në nivele të shantazheve, të kërcënimeve, kështu që kanë dinjitetin e vet. Te gjitha faktet që i kanë le të shqyrtohen, unë jam i gatshëm për çdo gjë me dhanë përgjegjësinë time si dekan i Fakultetit”, tha ai.
Agim Selimi theksoi se do të vazhdojë punën si dekan sepse “disponimi i këshillit ka qenë mos të iniciohet sepse (dekani) nuk shkarkohet prej këshillit”, tha dekani Selimi.
Profesor Pantina tha se arsyeja e kërkesës për inicimin e shkarkimit të dekanit vjen për shkak të disa shkeljeve, sikur që sipas tij është punësimi i personave pa konkurs publik.
“Janë duke dhënë mësim prej 1 tetorit ndërsa konkurset hapen prej 14 shkurtit. Do të thotë kjo është shkelje ligjore apo thënë më mirë për t’ua zbutur adutët e njerëzve të politikës… E din dekani që ia kanë emërua ministrat, nga qeveria e tij”, tha Pantina.
Si shkelje tjetër të dekanit Selimi profesori Pantina përmendi edhe nënshkrimin e dy vendimeve me të cilat emërohet Komisioni për mbrojtje të studimeve master për kandidaten Vlora Islamaj.
Xhevdet Pantina tregoi se i është drejtuar edhe rektorit Marjan Dema për ta informuar rreth veprimeve të dekanit të Fakultetit të Arteve.