Degradimi i shtratit të lumit “Erenik” në Gjakovë - VIDEO

Në shtratin e lumit “Erenik” të komunës së Gjakovës, ka vite që po nxirret zhavorr nga kompani të ndryshme.

Një qytetar ka dërguar një video në KALLXO.com, ku në fshatin Nivokaz të Gjakovës, shihet që kamionë të kompanisë “Shala”, pronar i të cilës është Myrt Shala, nxjerrin zhavorr pa u penguar nga askush.

Kjo video është e xhiruar me datën 29 prill, kurse i kontaktuar nga KALLXO.com, pronari Myrt Shala pretendon se ka leje për marrjen e zhavorrit.

Ai thotë se kush është i interesuar ta shoh lejen që pretendon se e ka, duhet të shkojë në zyrën e kompanisë në Junik.

“Ju mundeni me ardhë kur të doni në zyre në qendër të Junikut, jeni të mirëseardhur”, ka thënë nëpërmjet telefonit Shala, duke refuzuar ta përcjellë përmes email-it.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), në një përgjigje për KALLXO.com, kanë bërë të ditur se kompania në fjalë dhe asnjë kompani tjetër nuk janë të licencuara, madje kompania “Shala” ka gjobë administrative për bazë seperacioni.

“Ndërmarrja M.SHALA me pronar Myrt Shala nuk është licencuar në KPMM deri më sot. Licencë në shtrat të lumenjve nuk posedon asnjë ndërmarrje. Ato mund të klasifikohen vetëm si veprime ilegale. Ndërmarrja në fjalë figuron në bazën e të dhënave dhe ka gjobë administrative për bazë seperacioni”, thuhet në përgjigjen e KPMM-së.

Ekipi i KALLXO.com, ka shkuar në Junik për t`u takuar me Myrt Shalën dhe për të parë lejen që ai pretendonte se e posedon, por në momentin kur është kontaktuar përmes telefonit, ai ka refuzuar që të takohet, madje ka shprehur dhe tone kërcënuese.

“Nuk kam kohë me u marrë me atë punë, tash ti shko në punën tone unë në temen. Ti nuk je kompetent me fol najsan për mu. Edhe mos më thirr mo kurrë. Merru me ndonjë sport tjetër nuk ki nevojë me u marrë me këtë sport si gazetar. Hajde pra e të tregoj unë ty qysh është e drejtë e jotja me u marrë me këtë punë”, ishin kërcënimet e Shalës.

Si pasojë e marrjes së zhavorrit në këtë pjesë të lumit, mbi 20 hektarë tokë kanë mbetur pa ujitje dhe mbi 30 shtëpi kanë problem me ujë të pijshëm, pasi një pjesë e fshatit Nivokaz furnizohen me bunar.