Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Dëgjohen dëshmitarë të rinj në gjykimin për mashtrim me subvencione

Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar sot gjykimi i të akuzuarave Zana Kotorri, Ardiana Gorani dhe Hana Berisha, të cilat ngarkohen me veprën penale të mashtrimit me subvencione.

Në fillim të seancës, kryetarja e trupit gjykues njoftoi se trupi gjykues ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale që të ftohen për t’u dëgjuar si dëshmitarë zyrtarët policorë të cilët morën në pyetje dëshmitarin Hamdi Alaj.

Më tej, procesi gjyqësor vazhdoi duke ftuar për dëgjim dëshmitaren Naile Alaj, e cila fillimisht u pyet nga prokurori për raportet që ka me të akuzuarat Hana Berisha, Zana Kotorri dhe Ardiana Goranin.

Dëshmitarja deklaroi se Hanën e njeh se është nga Deçani, si bashkëvendase, kurse Ardianën e ka njohur veç si konsumatore në dyqanin e saj, ndërsa Zana Kotorrin tha se nuk e ka parë asnjëherë.

Më tutje, në pyetjet e prokurorit, se a i kujtohet që ka aplikuar për një projekt, në cilën ministri dhe sa ishte vlera e tij, Alaj u përgjigj se i kujtohet se kanë aplikuar në Ministrinë e Kthimit dhe Komuniteteve për një projekt që kishte të bënte me artizanate. “Vlera e projektit nuk më kujtohet saktë, por më duket se ka qenë mbi 10 mijë euro”, tha ajo.

https://kallxo.com/e-akuzuara-per-mashtrim-me-subvencione-e-pranon-fajesine/

Naile Alaj u përgjigj në pyetjet e prokurorit edhe për kontaktin që e ka pasur me Hanën lidhur me aplikimin në Ministri për këtë projekt, duke deklaruar se ka pasur një thirrje nga Hana Berisha kur ka pasë me ardhë komisioni vlerësues dhe “më ka thënë që ata do të vijnë dhe duhet me i qarros me kafe a diçka”.

Në pyetjen e prokurorit se a i ka treguar Hana se njeh dikë në Ministri, a i ka përmendur ndonjë emër të anëtarëve të komisionit vlerësues, dëshmitarja Alaj u përgjigj duke deklaruar se e di që e ka kontaktuar Hana dhe i ka thënë se duhet me i qarros diçka, “por nuk e di a u kanë fjala për Zanën apo komisionin, dhe i kam thënë që thirre bashkëshortin tim e fol me të, sepse unë nuk merrem me atë punë,  burri im merret me këtë veprimtari dhe e udhëheq”.

Dëshmitarja më tutje sqaroi se aktiviteti i saj në këtë biznes ka qenë më tepër ndihmues gjatë vikendeve.

Seanca më tej vazhdoi me pyetjet e avokatit të Zana Kotorrit, Xhafer Maliqi, i cili i parashtroi disa pyetje dëshmitares Naile Alaj, lidhur me  faktin nëse kishte dijeni për komisionin vlerësues, për emrin e Zanës dhe takimin e realizuar me të.

Dëshmitarja u përgjigj se për komisionin vlerësues e di që kanë qenë 3 persona, të cilët nuk i ka parë asnjëherë dhe se Zanën si person e ka takuar për herë të parë në gjykatë.

Kurse, avokatët e të pandehurave Ardiana Gorani dhe Hana Berisha, respektivisht Afrim Salihu dhe Gëzim Koçaku, nuk patën pyetje e as vërejtje për dëshmitaren Alaj.

Kurse e akuzuara Hana Berisha, e cila në pyetjen e trupit gjykues se a ka vërejtje për deklaratat e dëshmitares Alaj, sqaroi se ka vërejtje te përgjigjja për anëtarët e komisionit, sepse sipas saj, ata kanë qenë monitorues të projektit e jo anëtarë të komisionit.

Dëshmitarja Alaj më tutje iu përgjigj pyetjeve të trupit gjykues lidhur me faktin se e njihte burrin e Hana Berishës, kishte dijeni për obligimin që burri i saj kishte ndaj burrit të Hanës dhe lidhur me atë se ka pasë bisedu me burrin e saj për komisionin. Ajo deklaroi se burrin e Hanës e njihte nga fakti se ai kishte punuar disa punë në shtëpinë e tyre, ndërsa për anëtarët e komisionit më ka tregu kur kanë qenë në shitore dhe se punëtorët iu kishin ofru nga një kafe, por ata nuk kanë pranuar asgjë”.

Për fund, kryetarja e trupit gjykues Nushe Meka e pyeti dëshmitaren se lidhur me projektin a ishte takuar personalisht me Hana Berishën. “Për projektin, asnjëherë”, tha Alaj.

Pas kësaj përgjigjeje, trupi gjykues ndërpreu seancën dhe njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të enjten , ku do të procedohet me paraqitjen e provave materiale.

Në këtë gjykim, ish-sekretarja e përgjithshme e Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, Zana Kotorri akuzohet për tri vepra penale: keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje e ryshfetit si dhe veprën penale të mashtrimit në bashkëkryerje me dy të akuzuarat e tjera Ardiana Gorani e Hana Berisha.

Këto dy të fundit akuzohen edhe për veprën penale dhënie e ryshfetit, lidhur me projektin e shoqatës SHIPPL, me emër “Dua dhe mundemi së bashku”.