Foto ilustruese: Pixabay

Deficiti buxhetor në 2019-ën 416 milionë Euro

Sipas Projektligjit të Republikës së Kosovës të propozuar nga Qeveria, buxheti i përgjithshëm i vendit i paraparë për vitin 2019 pritet të jetë 2.365 miliardë euro që paraqet një rritje prej 12 përqind në krahasim me buxhetin e 2018-ës.

Për realizimin e këtij projekt-buxheti, të hyrat vendore kontribuojnë me 82 përqind apo 1.94 miliardë euro dhe mbi 420 milionë euro, apo rreth 18 përqind nga financimet e jashtme dhe të brendshme.

Që nga viti 2017 deri në vitin 2019 me këtë draft-buxhet paraqitet një rritje prej 34 përqind përbrenda periudhës trevjeçare.

Buxheti 2017 2018 2019
1.766 miliardë 2.104 miliardë 2.365 miliardë

 

Te hyrat në arkën e shtetit për vitin 2019

Qeveria e Kosovës ka paraparë të hyra rreth 1 miliardë e 949 milionë euro për vitin që vjen.

Këto të hyra përbëhen nga të hyrat tatimore të cilat kontribuojnë me rreth 89 përqind pjesëmarrje, apo 1 miliardë e 731 milionë dhe ato jo tatimore me 11 përqind, apo rreth 208 milionë euro. Ndërsa 7 milionë euro të tjera nga grantet për mbështetje buxhetore.

Sipas draft-buxhetit të Qeverisë për vitin që vjen, rezulton se të hyrat e planifikuara do të jenë më të larta me rreth 7 përqind në krahasim me të hyrat e planifikuara të vitit 2018.

Të hyrat tatimore përbëhen nga të hyra tatimore direkte ku bëjnë pjesë: tatimi në të ardhurat e korporatave, tatimi në të ardhurat personale, tatimi në pronë dhe të tjera, dhe në tatimet indirekte ku bëjnë pjesë: tatimi mbi vlerën e shtuar, detyrimi doganor, akciza dhe të tjera.

Nga viti 2017 deri në 2019 të hyrat buxhetore u parapanë të rriten mesatarisht në mes 7 e 8 përqind.

Të hyrat 2017 2018 2019 2018/19
1.68 miliardë 1.81 miliardë 1.94 miliardë 7.3%

 

Shpenzimet miliardëshe për 2019-ën

Buxheti prej 2.365 miliardë euro i paraparë të shpenzohet në vitin që vjen paraqet një rritje të buxhetit prej 12 përqind në krahasim me vitin 2018-të dhe rreth 34 përqind me 2017-ën.

Draft-buxheti i Republikës së Kosovës saktëson se Kosova në vitin 2019 planifikon t’i shpenzojë deri në 2 miliardë e 365 milionë euro. Prej tyre, 1 miliardë 567 milionë euro ndahen për shpenzimet rrjedhëse që përbëjnë rreth 66 përqind e shpenzimeve të përgjithshme dhe rreth 33 përqind, apo 770 milionë euro janë ndarë për shpenzime kapitale.

Tek shpenzimet rrjedhëse prej 1.56 miliardë eurosh me pjesëmarrje më të lartë bëjnë pjesë shpenzimet për paga dhe mëditje me 39 përqind apo 616 milionë euro, subvencionet dhe transfere me 609 milionë euro, që sillet rreth 39 përqind, dhe rreth 22 përqind të tjera, apo 337 milionë euro shkojnë për mallra dhe shërbime.

Gjithashtu janë planifikuar të ndahen edhe 5 milionë euro për rezerva rrjedhëse.

Në krahasim me vitin 2018-të, te kategoritë e shpenzimeve vërehet një rritje mbi 4 përqind, për mallra dhe shërbime 27 përqind, për subvencione dhe transfere 16 përqind.

Shpenzime rrjedhëse 2017 2018 2019 2018/19
Paga dhe mëditje 550 milionë 590 milionë 616 milionë 4.4 milionë
Mallra dhe shërbime 226 milionë 265 milionë 337 milionë 27.2 milionë
Subvencione dhe transfere 506 milionë 526 milionë 609 milionë 15.8 milionë
Rezerva rrjedhëse 0 0 5
Gjithsej 1.28 miliardë 1.38 miliardë 1.56 miliardë

 

Në anën tjetër vërehet një rritje prej 11 përqind për shpenzimet kapitale në krahasim me buxhetin për vitin 2018 apo 76 milionë euro më shumë.

Nga viti 2017 deri 2019 për shpenzime kapitale janë shtuar rreth 302 milionë euro.

Gjithashtu në vitin që vjen pritet të paguhen 28 milionë euro interes për borxhin publik.

Deficiti buxhetor prej  -416 milionë euro

Kur shpenzimet shtetërore i tejkalojnë të ardhurat shtetërore gjatë një viti fiskal nënkupton se kemi të bëjmë me një deficit buxhetor.

Në projekt-buxhetin për vitin 2019, shpenzimet e përgjithshme buxhetore janë më të larta në raport me të hyrat e përgjithshme buxhetore duke rezultuar kështu me një deficit prej -416 milionë euro si nevojë për financim.

Lidhur me këtë Qeveria ka paraparë financim të jashtëm dhe të brendshëm.

Financimi nga jashtë kap vlerën e 149 milionë euro. Financimi do të jetë nga projekt-kredi të rregullta buxhetore, pranimet nga projekt-kredit sipas  klauzolës investive.

Ndërsa janë planifikuar edhe financim i brendshëm në vlerë prej 272 milionë euro si: pranimet nga emetimet e letrave me vlerë, pranimet e kthimit të kryegjësë së borxhit të Ndërmarrjet Publike (KEK), pranimet nga procesi i likuidimit/privatizimit, pranimi i njëhershëm nga Trusti, pranim nga të hyrat e bartura të komunave, pranimet e dedikuara të AKP-së.