Komuna e Deçanit porosit produkte serbe, fajin e drejtojnë tek AQP

Në tenderin për furnizim me mallra të hapur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit pati kërkesë për furnizim edhe nga Komuna e Deçanit duke përfshirë edhe produkte serbe.

Disa nga produktet e kërkuara janë me emra të markave specifike, praktikë kjo e ndaluar në prokurim e për të cilat Komuna e Deçanit ka thënë se nuk është përgjegjëse.

Kjo komunë megjithatë ka thënë se përmendja e referencave të tilla mund të përdoret në raste të veçanta, nëse referenca e tillë përcjellet me fjalët ‘ose e barasvlershme/ekuivalente’

KALLXO.com ka selektuar vetëm disa kërkesa që Komuna e Deçanit i ka bërë e që përfshijnë Pashtetë pule “Argeta” ose ekuivalentë 500 copa nga 95 gram, djathë “ekuivalent” me feta i konservuar paketimi 4 kg plastik ose në konaqe, ose paketimi 4 kg plastikë ose në konaqe 10 kg, “Eurokrem” ose ekuivalente 50 kg,  keks “Petit Beure” ose ekuivalente 50 kg, makarona “Divella” ose ekuivalente 100 kg, shpagetë “Divella” ose ekuivalentë 20 kg si dhe “Vegetë” ose ekuivalentë 20 kg.

Xhevdet Ramosaj nga Zyra e Prokurimit të kësaj komune ka thënë për KALLXO.com se procedurën e prokurimit për furnizim me artikuj ushqimor do ta zhvillojë AQP-ja.

Sipas Ramosaj kërkesa për furnizim me artikuj ushqimor është bërë nga njësia kërkuese duke u mbështetur në Rregullat dhe Udhëzuesin Operativ për Prokurimin Publik.

“20.8 Përcaktimi i specifikimeve teknike që referohen në një prodhim specifik ose burim, ose një proces të veçantë, ose marka tregtare, patenta, lloje ose origjina specifike ose prodhime, është si rregull i përgjithshëm i ndaluar. Megjithatë, një referencë e tillë mund të përdorët në raste të veçanta, nëse referenca e tillë përcjellët me fjalët ‘ose e barasvlershme/ekuivalente’. Nga kjo konkludojmë se artikujt mund të furnizohen edhe me artikuj të prodhuesve të ndryshëm”, thuhet në përgjigje.

Sipas Ramosajt pavarësisht kërkesave të njësisë kërkuese, organi kompetent i cili e zhvillon procedurën e prokurimit, duhet ta analizojë mirë specifikimin teknik dhe në rast se ka diçka që nuk është në pajtim me Ligjin e Prokurimit Publik të Kosovës Neni 28 (për specifikimet teknike), duhet që të korrigjohet ose t’i kthehet njësisë kërkuese për korrigjim.

Gjithashtu, Ramosaj ka njoftuar se Komuna e Deçanit këtë kërkesë për furnizim me artikuj ushqimor e ka për Shtëpinë e Komunitetit ku janë të vendosur njerëz me nevoja të veçanta.

Ndryshe, KALLXO.com ka shkruar për tenderin 23.5 milion të shpallur nga AQP-ja, për t’i furnizuar disa institucione të Kosovës me artikuj ushqimor.

Në tenderin, që është i ndarë në 9 llote dhe që pritet të kushtojë rreth 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike ishin artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta” por që pas tyre shkruhet edhe ekuivalentë.

KALLXO.com, ka shkruar se kjo Agjenci pas reagimit publik është angazhuar për t’i larguar nga lista vetëm prodhimet serbe, siç janë: “Smoki”, “Plazma” dhe “Eurokrem”.

KALLXO.com, ka siguruar qasje në kërkesat e Autoriteteve Kontraktuese për furnizim në këtë tender.

https://kallxo.com/komuna-qe-udhehiqet-nga-aak-ja-porositi-produkte-serbe/?fbclid=IëAR22iqKJqzDTOTTxo1Soxma1PqG7kg6gLE7rzzQevjOk9JlGsËDZz1bDxIo

 

https://kallxo.com/arsyetimi-i-komunes-se-gjakoves-per-porosine-e-produkteve-serbe/

 

https://kallxo.com/dokument-komuna-e-drenasit-kerkoj-te-bleje-plazma-e-euro-crem-serb/?fbclid=IëAR28pgXZC7f39B-CPYUokXJ00U1qtKBUijZjryrndhM5Juh-GY5_aYX69Fs

 

 

https://kallxo.com/komuna-e-drenasit-arsyetohet-per-porositjen-e-produkteve-serbe/?fbclid=IëAR2PEQ9SLhrfESBC_ëm3cACRFh6xbLNQUJIuzCnA242NJY-uPLp2a1GeL_c