Manastiri i Deçanit. Foto: Wikimedia.org

Deçanasit u kthehen protestave në mbrojtje të tokave të dhëna Manastirit nga Kushtetuesja

Komuna e Deçanit ka njoftuar se me 6 qershor do të protestojnë për të mbrojtur tokat e dhëna Manastirit të Deçanit.

Në njoftimin e komunës thuhet se kërkesa e banorëve është që ky kontest të përfundojë në të mirë të të dyja palëve, Komunës së Deçanit dhe Manastirit.

“Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, e mbajtur dje, dhe deklaratës së përbashkët te të gjitha subjekteve politike, sot me iniciativën e të gjitha subjekteve politike, Komunës së Deçanit , përfaqësuesve të shoqërisë civile në Deçan dhe shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së. Të shqetësuar me zhvillimet e fundit, rreth kontestit në mes të Komunës së Deçanit dhe Manastirit të Deçanit, të gjithë u dakorduan që me dt.6 qershor 2019, në ora 12:00, të organizohet protestë paqësore, ku objektiv kryesore do të jetë ftesa dhe kërkesa për Manastirin e Deçanit, që ky kontest të përfundoj në të mirë të dy palëve. Një zgjidhje e përbashkët e cila do të bënte që të ndihej mirë edhe Manastiri i Deçanit dhe Qytetarët e Deçanit”, thuhet në njoftimin e komunës.

Në fillim të javës së kaluar BE kishte shprehur shqetësim për vonesën e moszbatimit të mosmarrëveshjes për 24 hektarët e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”

Ka tre vjet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

https://kallxo.com/kryetari-i-decanit-i-vendosur-te-mos-ia-ktheje-pronen-manastirit/

 

https://kallxo.com/be-e-shqetesuar-per-moszbatimin-e-vendimit-te-kushtetueses-per-manastirin-e-decanit/