Deçani - Foto: Facebook

Deçan, lirohen të akuzuarit për shtytje në vetëvrasjen e polices

Gjykata në Deçan i ka shpallur të pafajshëm tre persona që akuzoheshin për shtytje në vetëvrasje të një pjesëtareje të Policisë së Kosovës.

Për këtë vetëvrasje që kishte ndodhur në korrik të vitit 2014, gjykata akuzonte tre personat me inicialet B.B, F.B dhe A.T.

B.B akuzohej se që nga viti 2009 e tutje, e kishte shtyrë policen që të bënte vetëvrasje gjatë kohës se ka qenë në lidhje me të.

Në aktakuzë thuhet se B.B, e kishte maltretuar ish kolegen e tij duke e rrahur, frikësuar dhe duke i premtuar se do të martohej me të. Sipas aktakuzës, deri sa e dëmtuara ishte duke shkuar në shtëpinë e saj ishte ndalur nga B.B. i cili me t’u afruar e kishte goditur në gjoks dhe si pasojë e këtyre veprimeve, viktima e kishte përforcuar vendimin dhe në shtëpinë e saj me armën zyrtare e kishte vrarë vetën.

Edhe i pandehuri F.G. u shpall i pafajshëm pasi nuk u provua se e kishte shtyrë ish policen drejt vetëvrasjes.

Ai akuzohej se e kishte maltretuar psikikisht dhe fizikisht të dëmtuarën, duke e rrahur, frikësuar dhe duke i kërkuar marrëdhënie seksuale edhe pse e kishte ditur që e ndjera ishte në lidhje me kolegun e tij.

Sipas aktakuzës pasi e njëjta kishte refuzuar të ketë marrëdhënie seksuale me të, i pandehuri kishte shkuar te shtëpia e saj duke shtënë me armë dhe duke e thirrë në telefon.

Ai akuzohej edhe se e kishte sulmuar në stacionin policor më ç’rast e njëjta ishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale pa vullnetin e saj, çka ia kishte përforcuar vendimin për t’u vetëvrarë.

Për shtytje në vetëvrasje akuzohej edhe A.T.

Sipas aktakuzës, ky i akuzuar, pasi që më parë kishte ndërprerë lidhjen me të ndjerën, kishte filluar të kërkojë nga ajo që ta rifillojnë lidhjen e tyre duke ia marrë telefonin personal dhe duke u lajmëruar në thirrjet që ia kanë bërë të tjerët.

Aktakuza thoshte se me këtë rast të ndjerës i ishte përforcuar vendimi për të kryer vetëvrasje.