Protesta e studentëve | Foto: KALLXO.com

Debati i Shpend Ahmetit me Studentët dhe Profesorët Protestues

Një grup i madh i studentëve bashkë me profesorë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të UP-së protestuan për zgjidhjen e çështjes së objektit të tyre para MASHT dhe Komunës së Prishtinës.

Ata u takuan edhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin patën një përballje për zgjidhjen e mundshme për hapësirën ku mund të ndërtohet fakulteti i tyre.

Florian Bivolaku, kryetar i Këshillit Studentor të FSHMN-së, tha se komuna ka qenë institucioni i cili e ka bllokuar ndërtimin e fakultetit të ri brenda kampusit të UP-së dhe kërkoi që të jepet leje për ndërtimin e objektit.

“Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore nuk ka objekt, i nderuar. Shfrytëzojmë hapësirat e Fakultetit Filologjik. Kushtet tona janë të tmerrshme, nuk ka situatë të volitshme që ne t’i zhvillojmë studimet tona. Kërkojmë atë që na takon! Kërkojmë nga ju që ta ndaloni atë që po e bëni deri tani. Nuk po jepni leje për ndërtimin e objektit! Kërkoj nga ju që tani ta ndryshoni këtë vendim”, tha Bivolaku duke iu drejtuar kryetarit të komunës.

Ndërsa Ahmeti tha se plani rregullativ i tanishëm nuk i lejon ndërtimet brenda kampusit dhe i udhëzoi studentët dhe profesorët që të kërkojnë ndërtimin e fakultetit të ri në afërsi të Fakultetit Teknik, më saktësisht, në vendin ku është supozuar të ndërtohet salla e operës.

“Aty është paraparë ndërtimi i sallës së operës i cili nuk do të ndërtohet. Aty është vendi për objektin, aty është hapësira për objektin, aty është e paraparë me plan rregullues që të ndërtohet objekti i FSHMN-së. Krejt çka duhet bërë është që Ministria e Kulturës të heqë dorë nga pallati i operës, sepse nuk e ka vendin aty e ne pastaj të procedojmë sipas planeve rregullative”, tha Ahmeti.

Përveç kësaj, Ahmeti u tha protestuesve se në rast se duan të ketë një zgjidhje krejtësisht tjetër, Komuna e Prishtinës do të dalë do t’ua japë atyre 3 alternativa për lokacionin e ndërtimit të objektit.

Ndryshe, studentët dhe profesorët që e udhëhoqën protestën arritën në marrëveshje të përbashkët me Shpend Ahmetin për takim të hënën në orën 14:00 në Komunën e Prishtinës.

I pyetur nga KALLXO.com se a do të jetë e hapur për media ky takim, ai pohoi se mbledhja ka për të qenë e hapur.