Debati i deputetëve | Foto: KALLXO.com

Debati për Dialogun Rrëshqet në Tema Tjera

Debati mes deputetëve dhe qytetarëve nga rajoni i Pejës, i parashikuar të bëhet për dialogun me Serbinë,më së paku iu kushtua dialogut të Brukselit.

Gjatë debatit deputetët dukagjinas nga pozita dhe opozita shkëmbyen akuza rreth zhvillimeve të brendshme politike të Kosovës.

Donika Kadaj-Bujupi, deputetja e “Vetëvendosjes” e arsyetoi përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend për pengimin e marrëveshjes së demarkacionit.

“Unë e di që gazi nuk është i bukur dhe betejat në parlament nuk janë të bukura, po as lufta nuk ka qenë e bukur por ka qenë e domosdoshme dhe po mos të ishte gazi lotsjellës nuk do ishte Rugova, dhe ndërmjet gazit lotsjellës dhe Rugovës unë përsëri e kisha zgjedh Rugovën,” tha deputetja e LVV-së.

Deputetja e AAK-së Time Kadriaj tha se kufirin do ta mbrojnë ata që e kanë mbrojtur.

“Tash po e japi një përgjigje për demarkacionin. Demarkacionin kanë me mbrojtë ata qe e kanë mbrojtur, e jo patriotët me bateria. Ndërsa për koalicion po të përgjigjem se koalicion kemi me Nismën për Kosovën,”tha deputetja e AAK-së.

Por Besa Gaxherri, deputetja e LDK-së tha se shtei nuk ndërtohet me tym e molotov.

“Shteti ndërtohet me punë, me korrektësi, me profesionalizëm, jo me dhunë,jo me tym,jo me molotovë,jo me  fraza boshe, jo tu parë krejt zi. Kështu ndërtohet vendi edhe ne e kemi ndërmend me ndërtu,” tha Gaxherri.

Ndërsa Safete Hadërgjonaj, deputetja e PDK-së akuzoi Lëvizjen “Vetëvendosje” se punon për dështimin e shtetit të Kosovës.

“Është gjëja më e dhimbshme, më fatkeqe me dëgjuar prej një politikani republikë të dështuar. Por kur dëgjohet nga një Lëvizje ‘Vetëvendosje’ e cila nuk e ka pranuar shtetin e Kosovës, atëherë është krejt normale ta dëgjojmë se është republikë e dështuar, sepse të gjitha veprimet i bëjnë për ta dështuar Republikën e Kosovës,” tha Hadërgjonaj.

Gjatë debatit u tha se duhet të insistohet më shumë që në dialogun e Brukselit të diskutohet për të pagjeturit dhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Tema tjera të dialogut në Bruksel kishin kërkuar edhe të anketuarit e Institutit Demokratik të Kosovës.

http://kallxo.com/qytetaret-duan-ceshtje-tjera-ne-dialogun-e-brukselit/