Debati në Kuvend Politizon Sulmin e Mbrëmshëm

Deputetët dhe grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës kanë debatuar gjatë rreth përmbajtjes së një deklarate me të cilën do të dënohej sulmi i mbrëmshëm ndaj ndërtesës së legjislativit.

Një draft i deklaratës i lexuar nga deputetja e PDK-së, Blerta Deliu- Kodra, e prezantuar si ‘deklaratë e përbashkët’ ka nxitur reagimin e deputetëve të Vetëvendosjes të cilët nuk janë pajtuar me të.

“Ne përfaqëuesit e popullit dënojmë ashpër sulmin krimnal mbi Kuvendin e Kosovës. Ky është një sulm kundër shtetit tonë. Mosmarrëveshjet tona politike duhet dhe do t’i zgjidhim përmes dialogut politik”, thuhej në deklaratën e lexuar nga Deliu- Kodra.

Por Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes ka reaguar duke thënë se deputetët e grupit të saj parlamentar nuk kanë qenë të njoftuar për hartimin e deklaratës.

“Nuk është korrekte qe subjekti më i madh opozitar të mos marrë pjesë në hartimin e kësaj deklarate”, tha Haxhiu.

Ndërsa deputeti tjetër, Albin Kurti, tha se Vetëvendosje e ka dënuar sulmin.

Ai dha një propozim për përmbajtjen e deklaratës.

“Le te largohet nga deklarata shprehja “Ne te zgjedhurit e popullit”, sepse disa nga ne jemi te zgjedhur të popullit, por këtu ka edhe të zgjedhur të korrupsionit”, tha ai.

Tekstin e deklaratës e ka kritikuar edhe Melihate Tërmkolli e LDK-së.

“Kjo deklaratë, me falni në shprehje, është e coftë. Unë kam pritë qe sot këtu te jenë të pranishëm Kryeministri e Ministri i MPB, që t’i sigurojnë qytetarët se shteti do të punojë për të zgjidhur rastin”, tha ajo

Rexhep Selimi i Vetëvendosjes tha se çështja e sulmit ësyhtë duke u politizuar.

“Neve po na boni me dyshu se diçka qëndron mbrapa kësaj. Politizimi i kësaj çështjeje po na dërgon drejt një konspiracioni. Mos u ngutni me këso cilësimesh se nuk i del kërkujt mirë”, tha Selimi.

Situata u acarua kur Muhamet Mustafa i LDk-së përmendi gazin lotsjellës dhe koktejin e molotovit gjatë fjalimit të tij.

Fisnik Ismajli i Vetëvendosjes reagoi menjëherë, ndërsa Bardhyl Meta nga LDK iu kundërpërgjigj Ismajlit.

“Kalavesh, ti po flet”, tha Meta.

Kadri Veseli e ka mbyllur debatin rreth përmbajtjes së deklaratës ndërsa përfaqësuesit e grupeve parlamentare tani janë mbledhur në takim për të biseduar rreth versionit final të saj.