Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli - Foto: KALLXO.com

Debati në Kuvend për Demarkacionin më 3 Gusht

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka miratuar kërkesën e deputetit Shpejtim Bulliqi, e cila ka marrë nënshkrimin e 24 deputetëve të tjerë, që në Kuvend të zhvillohet një debat rreth çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Debati do të zhvillohet më 3 gusht, ka treguar pas mbledhjes së Kryesisë, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti.

Dakordimin për këtë debat e ka konfirmuar edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Kryekuvendari tha se tryeza e rrumbullakët, në të cilën do të marrin pjesë deputetët që e kanë nënshkruar, por edhe të tjerë, do të zhvillohet në sallën alternative të Kuvendit.

“Ftoj palët e interesuara të marrin pjesë në këtë debat, e veçanërisht ju media, më 3 gusht ora 10:00”, tha Veseli.

Kryesia është marrë vesh po ashtu që seanca e ardhshme e Kuvendit të zhvillohet më 4 gusht.

Sipas Veselit, në këtë seancë plenare do të trajtohen pikat e parapara të rendit të ditës por nuk do të ketë ratifikim të Marrëveshjes për Demarkacionin.

http://kallxo.com/bulliqi-kerkon-te-flitet-hapur-per-demarkacionin/