Pallati i Drejtësisë

Debat Rreth Provave në Gjykimin për Barnat

Trupi gjykues në seancën e sotme bëri administrimin e provave në gjykimin ku të akuzuar janë tre ish-zyrtarë të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM ) dhe drejtori i një kompanie të prodhimit të barnave.

Bersan Kolgeci, Ilir Dushi dhe Haki Ejupi nga prokuroria akuzohen që si persona zyrtarë në AKPPM, lëshuan 435.124 banderola të barnave për kompaninë “Prima Pharm”, drejtor i së cilës është i akuzuari tjetër Edon Hajrullaga.

Kolgeci, Dushi e Ejupi akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa Edon Hajrullaga për prodhim të ndaluar.

“Ne i kundërshtojmë të gjitha provat në kuptim të mbrojtjes, pasi që asnjë provë që po administrohet nuk ka të bëjë me të mbrojturin tim Ilir Dushin,” deklaroi avokati Nikë Shala.

Avokatët tjerë kundërshtuan që si provë në këtë rast të administrohet një procesverbal i cili mban datën 3 maj 2013.

Ndërsa prokurorja kërkoi që kjo provë të jetë pjesë e këtij gjykimi.

Avokati Skender Musa që mbron Edon Hajrullahun, tha se barnat për të cilat akuzohet klienti i tij kishin kualitet.

“Të gjitha produktet për të cilat prokuroria ka ngritur aktakuzë janë të cilësisë së lartë dhe nga këto produkte nuk i është shkaktuar dëm askujt,” tha avokati Skender Musa.

Avokatët dhe të mbrojturit e tyre trupit gjykues ia prezantuan disa prova dhe kërkuan qe ato të pranohen nga gjykata.

Sipas prokurorisë Bersan Kolgeci që ishte drejtor i Departamentit Ligjor në Agjencinë e Produkteve Medicinale i kishte rekomanduar drejtorit të administratës së kësaj agjencie që t’i lëshonte banderola për 18 produkte medicinale kompanisë “Prima Pfarm”, duke i mundësuar asaj që t’i nxjerrë në treg barnat e importuara nga Kina më 23 mars 2013.

Prokuroria pretendon se Kolgeci nuk është dashur ta lëshonte një rekomandim të tillë për arsyen se sipas saj kompania “Prima Pfarm” nuk ka qenë e certifikuar me PMP- Praktikën e Mirë Prodhuese.