Debat për dialogun Kosovë - Serbi

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) të premten do të organizojë tryezën e diskutimit me temë “E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja: Dialogu Kosovë-Serbi dhe mësimet që lidershipi i Kosovës duhet të përsëris”.

Kjo tryezë diskutimi ka për qëllim të fokusohet në dialogun Kosovë-Serbi, diskursin e spektrit politik mbi nevojën për të arritur një konsensus të gjithmbarshëm politik, si dhe mënyrën dhe parimet se si ky proces i brendshëm duhet të rrjedh. Theks të veçantë do të kenë analizimi i proceseve negociuese të së kaluarës, përfshirë këtu negociatat e Vjenës, si dhe procesin deri tek shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe mësimet e nxjerra nga këto procese.

Për më tepër, në këtë diskutim, pritet që panelistët të vënë në pah qëndrimet e tyre mbi idenë e shkëmbimit të territoreve dhe pikat që duhet të përfshihen në marrëveshjen finale me Serbinë.

Kjo tryezë organizohet në kuadër të serisë së debateve rreth fazës finale të dialogut Kosovë Serbi, me anë të së cilave Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka për qëllim që të vë në fokus çështjet kryesore që kanë ngjallur debat të madh publik. Në këtë mënyrë synohet që të shpalosen mundësitë dhe pasojat që kjo fazë e dialogut mund t’i ketë për konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.

Panelistë në këtë tryezë do të jenë: Fatmir Sejdiu – Ish President i Republikës së Kosovës në periudhën e shpalljes së Pavarësisë; Jakup Krasniqi – Ish Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës në periudhën e shpalljes së Pavarësisë dhe Hajredin Kuçi – Ish Zëvendës Kryeministër i Republikës së Kosovës në periudhën e shpalljes se Pavarësisë.

Kjo tryeze mbahet në Hotelin Swiss Diamond, ora 10:30.