Ekspozita për refugjatët | Foto: KALLXO.com

Dawes: Refugjatët Kosovarë të ’99-ës Dhuratë për Britaninë

Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në një ekspozitë organizata “Manchester Aid to Kosovo” (MaK)solli rrëfimet dhe fotografitë ë 30 refugjatëve kosovarë që gjatë dhe pas luftës emigruan në Manchester.

Paulina Dawes, udhëheqëse e organizatës (MaK),tha se ekspozita për herë të parë është shfaqur në vitin 2016, ndërsa ky projekt ka vazhduar edhe ketë vit.

Dawes i quajti dhuratë për Mbretërinë e Bashkuar refugjatët kosovarë që shkuan në Manchester përmes kësaj organizate.

“Është një projekt i mirë sepse arritjet e tyre janë shumë të mira. Ata janë një dhuratë për Mbretërinë e Bashkuar. Ne kemi treguar rrëfimet e atyre që janë strehuar në Manchster mirëpo edhe arritjet e atyre që janë kthyer prapë në Kosovë”, tha Daëes.

Fotografitë dhe zërat e përjetimeve të 30 refugjatëve i janë dorëzuar Bibliotekës Kombëtare, ndërsa drejtoresha Dawes u bëri thirrje edhe kosovarëve që u strehuan në Manchester që të tregoojnë përjetimët e tyre.

Fazli Blakçori, njëri prej anëtarëve të “Manchester Aid to Kosovo”, tregoi për KALLXO.com se kur shkoi dhe çfarë bëri në Manchester.

“Në vitin 2004 kam shkuar ne Manchester përmes organizatës. Në Angli i kam përfunduar studimet, aktualisht punoj në një kompani në Norvegji që 1 vit. Përmes organizatës MaK kam njohur shumë shqiptarë të cilët kishin lënë Kosovën gjatë vitit 1999 për t’u strehuar në Manchester. Shumica prej këtyre kanë arritur dhe kanë zënë vende të mira pune. Manchesteri i ka ndihmuar shumë shqiptarë, njëri ndër përfituesit jam dhe unë”, tha Blakçori.

Por, njëri nga rrëfimet e refugjatëve të strehuar në Manchester, tregonte se sa e vështirë dhe e rrezikshme ishte përpjekja për t’u larguar nga Kosova në vitin 1999.

“Kur filloi lufta na u desh të largoheshim të gjithë së bashku, natën nëpër male. Na ndiqnin në çdo hap. Nuk kishim për të ngrënë, nuk kishim rroba, flinim nën qiellin e hapur. Kurdo qe gjenim bukë e ndanim me të gjithë të tjerët”, thuhej në rrëfimin e njërit nga refugjatët.