Daut Haradinaj | Foto: Facebook

Daut Haradinaj: Vihen kushte për taksën, por jo edhe për të pagjeturit

Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj, ka kritikuar faktin që taksa është vënë kusht nga Serbia për vazhdimin e dialogut, kurse fati i të pagjeturve nuk është vënë kusht nga Kosova ndaj shtetit fqinj.

“Po bëhet presion shumë i madh për taksën, ndërsa Kosova nuk  qiti kusht për të pagjeturit, pse nuk dorëzohen kriminelët që i vranë vëllezërit  Bytyqi ose shumë masakra të tjera”, tha deputeti.

Haradinaj kërkoi nga Delegacioni Shtetëror ‘ta ngrisin zërin ndaj Serbisë’ për këto çështje.

“Edhe delegacioni duhet të fillojë të ngritë pak zërin në rast me Serbinë. Nëse ata na qesin kushte, duhet edhe ne ti qesim kushte atyre qoftë nga e kaluara ose nga e tashmja”, përfundoi ai.

Kërkesë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, kanë shprehur edhe deputetët e tjerë, si Andin Hoti, deputet i PDK-së.

Pas këtyre deklaratave, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti tha se Kuvendi shkon në pauzë deri në orën 14:30.