DASH për Shqipërinë: Vendi më i korruptuar në Ballkan

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka cilësuar Shqipërinë si shtetin më të korruptuar në Ballkanin Perëndimor.

Në raportin e fundit për Klimën e Të bërit Biznes në botë, theksohet se në  Shqipëri është e vështirë të zhvillohen aktivitete të karakterit ekonomik.

“Investitorët e huaj përmendin korrupsionin veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri”, thuhet në raportin e DASH-it.

Investitorët e huaj, sipas gjetjeve të raportit, e perceptojnë si një problem klimën e investimeve dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, të drejtat e pronës mbeten një sfidë tjetër në Shqipëri.

“Ka pasur raste të individëve që manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës. Kompensimi për tokën e konfiskuar nga regjimi i mëparshëm komunist është i vështirë për t’u arritur dhe joadekuat. Agjencia e ngarkuar me heqjen e ndërtesave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme shpesh vepron pa konsultime të plota dhe nuk ndjek procedurat”, vijon më tej përmbledhja e raportit vjetor.

Në këtë raport ndër të tjerash përmendet edhe indeksi ‘Transparency International’ i Perceptimit të Korrupsionit në vitin 2018, i cili e renditi Shqipërinë në vendit e  99-të me një rënie prej tetë vendeve nga viti 2017.

“Rrjedhimisht, Shqipëria tani perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor. Ndonëse është përmirësuar për dy vende në sondazhin e Bankës Botërore ‘Të Bërit Biznes’ të vitit 2019, Shqipëria vazhdoi me dobësi në fushat e zbatimit të kontratave, regjistrimit të pronës, dhënies së lejeve të ndërtimit dhe sigurimit të energjisë elektrike”, thuhet më tej në raport.

DASH megjithatë vlerëson se energjia, turizmi, furnizimi me ujë dhe kanalizimet, rrugët dhe hekurudhat, minierat dhe teknologjia e komunikimit të informacionit, paraqesin perspektivat më të mira për investimet e huaja direkte në Shqipëri gjatë viteve të ardhshme.