DASh për Kosovën: Zbatimi i dobët i ligjit, korrupsioni sfidon zhvillimin ekonomik

Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e fundit për Klimën e të bërit Biznes në botë, ka theksuar se  Kosova, pavarësisht se është një nga vendet më të reja dhe më të varfra të Evropës, ka shënuar ritme pozitive të rritjes ekonomike, mesatarisht prej katër për qind, gjatë dekadës së fundit.

Megjithëkëtë sipas DASH-it zbatimi i ligjit në Kosovë, mbetet i dobët edhe pse ligjet dhe rregulloret e Kosovës janë në përputhje me përkrahjen dhe mbrojtjen e investimeve.

Në këtë raport më tej thuhet se të zhvillimin ekonomik të vendit, po e sfidojnë paqëndrueshmëria politike dhe korrupsioni.

“Kosova ka potencial të konsiderueshëm për të tërhequr më shumë investime, por nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë derisa të trajtojë çështje serioze strukturore”, thuhet në këtë raport.

Sipas të dhënave, në vitin 2017 investimet e huaja direkte në Kosovë u vlerësua në 323 milionë dollarë, nga 247 milionë dollarë në vitin 2016.

“Një numër faktorësh e bëjnë sfidues zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë duke përfshirë: integrimin e kufizuar rajonal dhe global ekonomik; paqëndrueshmëria politike; korrupsioni; një furnizim jo i besueshëm me energji; një sektor i madh informal; dhe sundimi i dobët i ligjit, duke përfshirë një mungesë të dukshme të zbatimit të kontratës.

Departamenti Amerikan i Shteti thekson edhe se Kosova vazhdon të ketë përkrahje të konsiderueshme financiare ndërkombëtare dhe nga remitencat.

“Publiku vazhdimisht e rendit normën e lartë të papunësisë në Kosovë (zyrtarisht 29.6 përqind në vitin 2018), si ndër shqetësimet e saj më të mëdha. Nivelet e papunësisë për punëkërkuesit për herë të parë dhe për gratë janë dukshëm më të larta se norma zyrtare”, vijon raporti.

Përkundër sfidave, DASH vlerëson se Kosova ka tërhequr një numër investitorësh të rëndësishëm duke përfshirë disa firma ndërkombëtare nga SHBA.