"Talia e Flakës 2017" - Foto: Facebook

‘Darka e Thërrimeve’, Shfaqja më e Mirë

Shfaqja e teatrit shqiptar të Shkupit, “Darka e thërrimeve”, e regjisorit Qëndrim Rijani dhe me tekst të Refet Abazit, ka fituar çmimin kryesor për shfaqjen më të mirë në festivalin e dramës shqiptare “Talia e Flakës”, e cila është mbajtur në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2017” të organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit.

Pas përfundimit të javës së dramës, juria vlerësuese, e përbërë nga Sokol Vangjeli, Anisa Ismaili dhe Ylber Nuredini, ka ndarë edhe çmimet – aktori më i mirë, i cili i takoi Mentor Zymberajt për rolin në monodramën “Aktori në kuti”, çmimi aktorja më e mirë e festivalit iu nda aktores shkupjane Armenis Nokshiqi për rolin në shfaqjen “Darka e thërrimeve”, ndërsa teksti më i mirë u vlerësia ai i shfaqjes “Askushi” i autorit Bashkim Hoxha.

Vlerësim është bërë edhe për skenografinë më të mirë, çmim të cilin e rrëmbeu Bekim Korqa për shfaqjen “Im at e donte Adolfin”.

Kritiku i artit nga Shqipëria Josif Papagjoni ka thënë se kemi nevojë për një festival të këtillë, i cili është i paracaktuar për dramën shqipe.

“Askush më mirë se shqiptarët, pavarësisht nivelit profesional të autorëve botërorë, nuk do të mund të thoshte më shumë se vet shqiptarët për realitetin shqiptar. Andaj, dimensioni dhe serioziteti i këtij festivali domosdoshmërisht duhet të mbahet dhe jo të bjerret”, tha Papagjoni.

Këtë vit, festivali “Talia e Flakës” është karakterizuar me numrin e madh të shikuesve.

KALLXO.com raportoi për numër të madh të shikuesve që ndoqën shfaqjen “Ikja nga Gjermania”.

http://kallxo.com/shfaqja-ikja-nga-gjermania-shenon-numer-rekord-te-publikut-ne-gjilan/

Festivali i dramës “Talia e Flakës” ka zgjatur pesë ditë dhe ka përfunduar të shtunën, ditë kur ka nisur pjesa tjetër e “Flakës së Janarit 2017”, që i kushtohet trashëgimisë së festivalit që kur ka nisur 26 vjet më parë.

Në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2017” në kalendar janë edhe shumë aktivitete të tjera kulturore, si nga letërsia, fotografia, etj.

Redaktoi: Naser Sertolli