Takimi i Dardan Sejdiut me punëtorët | Foto: KALLXO.com

Dardan Sejdiu Premton Mbledhjen e Bordit të Stacionit

Disa nga punëtorët e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë u takuan sot me nënkryetarin e komunës Dardan Sejdiun.

Sejdiu u premtoi punëtorëve që u takuan me të se do ta mbledhë nesër Bordin dhe aksionarët e Stacionit të Autobusëve, pasi punëtorët u ankuan për përzierje të politikës në këtë ndërmarrje.

Pas takimit Sejdiu tha për KALLXO.com se ndërmarrja e punëtorëve të stacionit të autobusëve duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo të jetë pjesë e pazareve politike.

“Punëtorët e stacionit të autobusëve kërkonin diçka që në fakt është komplet e drejtë dhe komplet legjitime, duan që ndërmarrja të mos jetë pazar i partive, por të jetë ndërmarrje në funksion të shërbimeve dhe punëtorëve, rrjedhimisht komunës dhe qytetarëve,” tha Sejdiu.

Lulzim Haziri njëri nga punëtorët tha se në komunë nuk kanë ardhur për politikë.

“Sot kemi ardhur jo në emër të politikës nuk jemi të ngjyrosur asnjë punëtor me ngjyrë politike, por sot ju kemi drejtuar institucioneve për zgjidhjen dhe mbrojtjen e të drejtave tona,” tha Haziri.

Punëtorët e Stacionit të Autobusëve të martën mbajtën takim mes tyre për të diskutuar lidhur me shkeljet dhe diskriminimin që u është bërë nga ana e ish- drejtorit Ylber Çitaku.

http://kallxo.com/punetoret-e-stacionit-te-autobuseve-ne-hall-ish-drejtorin/

Në shtator të këtij viti, në stacionin e autobusëve u shkaktua tollovi, pas shkarkimit të kryeshefit ekzekutiv të stacionit të autobusëve Ylber Çitaku

http://kallxo.com/bordi-shkarkon-kryeshefin-zhurme-ne-stacion/