Dardan Gashi shpreson në miratimin e Ligjit për Diasporën

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi ka raportuar para Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.

Kryetarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani tha se është e rëndësishme që qeveria e ka kuptuar rëndësinë e bashkëpunimit me diasporën.

“Qëllimi i këtij takimi ka qenë ti marrim komentet finale para se ta dorëzoni Ligjin për Diasporën në Qeveri. Ne sërish në Kuvend, do të reflektojmë”, tha Osmani.

Ndërsa, Ministri Dardan Gashi u deklarua se shpreson që Ligji për Diasporën të miratohet në Kuvend.

“Respekti ndaj Diasporës nuk ka të bëjë me çështje politike apo të partive, ju deputetë 10 shtete i keni vizituar dhe 15-16 qytete, ku i’u është dhënë mundësia diasporës. Shpresoj që ky ligj të kalojë në Kuvend”, tha Gashi.

Osmani po ashtu tha se Kuvendi ka marr nismë që të plotësohet e ndryshohet Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, ku mund të inkuadrohet edhe diaspora.

“Kjo është shtyllë e rëndësishme që e mundëson përfshirjen e diasporës në jetën politike në Kosovë”, tha Osmani.

Anëtarja e këtij komisioni nga AAK, Time Kadrijaj, tha se diaspora ka dhënë kontribut të madh për Kosovën dhe Ligji për Diasporën është më e paktë që mund të bëjnë.

“Më e pakëta qe mund të bëjmë për diasporën është ta rregullojmë çështjen si ruajta e gjuhës dhe e kulturës sepse ata kanë dhënë jashtëzakonisht kontribut për Kosovën. Është mirë që ka konsensus që Ligjin për Diasporën ta bëjmë  të kompletuar”, tha Kadrijaj.

Kurse anëtari nga VV-ja, Glauk Konjufca ka pasur vërejte për agjendën e Qeverisë lidhur me vizitat e deputetëve në diasporë.

“Kam vërejtje  për agjendën e qeverisë për vizitat që i kemi pasur t’i bëjmë në qytete të ndryshme të Evropës ku është diaspora, sepse na u ka duk që jemi në një lloj presioni. Na është prezantuar me një afat qe Ministria i ka në plane te veta.  Për 2 muaj të vizitohen 10 shtete ka qenë dinamikë e papërballueshme për ne”, tha Konjufca.

Ai po ashtu tha se problem në diasporë është edhe shkollimi në gjuhën shqipe.

“Problemi kryesor për diasporën është ky: Shteti i Kosovës duhet ta marr krejt koston e shkollimit të femjëve qe jetojnë në diasporë në gjuhën shqipe. Kjo nuk është në ligj. Këtë kosto duhet me marr shteti ose bëhemi shkaktar për kanosje të fëmijëve ndaj gjuhës shqipe në 40 vitet e ardhshme. Sipas të dhënave që na keni dhënë janë 700-800 mijë qytetarë të Kosovë në diasporë. Prej tyre mund të jenë 200 mijë fëmijë që duhet të shkollohen në gjuhën shqipe”, tha Konjufca

Ministri Dardan Gashi tha se kostoja për aktivitetet e diasporës mund të bëhet përmes remitancave.

“Banka Qendrore ka njoftuar se janë 700 milionë të hyra zyrtare nga diaspora. Një përqind e të hyrave me i vendos në ligj të jenë për Diasporën. Kjo të mjaftonte të mbulohet edhe shkollimi dhe aktivitetet e tjera në diasporë. Të obligohet parlamenti dhe Qeveria që të ndahet kjo përqindje”, tha Gashi

Anëtarja tjetër nga VV në Komisionin për Punë të Jashtme, Fitore Pacolli tha se ka dështuar komunikimi i Ministrisë me Diasporën.

“Në Bruskel dhe Lion nuk pasur njoftim për diskutim publik për Ligjin. Në Turqi, Projektligji nuk u është dorëzuar në gjuhën që ata e kuptojnë. Ata nuk e dinë gjuhën shqipe. Është dashur që Projektligji t’u dorezohet edhe në gjuhën shqipe. Diskutimet kanë dështuar në qendrat kryesore të shteteve ku është diaspora”, tha Pacolli.

Anëtarja nga LDK, Doruntinë Maloku-Kastrati tha se njëri nga kanalet e RTK-së duhet t’i dedikohet diasporës dhe jo të hapet një kanal i ri e të ketë implikime buxhetore.

Në lidhje me këtë ministri Gashi tha se ideja është që dy televizionet publike Kosovë- Shqipëri të prodhojnë transmetim të veçantë në një kanal.

“Është keqkuptim fondamental që ka ndodhur. Ideja është të trajtohen diaspora bashkë, Kosovë Shqipëri. Nuk është kanal i ri, por program i dy shteteve për diasporën”, tha Gashi.