Gjykimi për gjuajtjen me armë në oën e Fatmir Limajt - FOTO KALLXO - 27.02.2019.

Dardan Gashi e pranon dënimin për të shtënat me armë në odë

Dardan Gashi, ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike, është shpallur sot fajtor për të shtënat me armë në odën e Fatmir Limajt në Banjë të Malishevës.

Gjykata Themelore e Gjakovës – Dega në Malishevë, ministrin Dardan Gashi e dënoi me 1700 euro gjobë.

Pas gjobës së shqiptuar nga Gjykata, ka ardhur edhe reagimi i ministrit Gashi. Ai ka deklaruar se e pranon gjobën e shqiptuar dhe se nuk do të ushtroj ankesë ndaj vendimit të Gjykatës.

“Unë jam përgjigjur nga fillimi të gjitha ftesave të organeve shtetërore ashtu sikurse edhe kërkon Ligji. Këshillat juridike që kam marr nga avokatët mbrojtës konfirmojnë se gjoba në fjalë nuk ndikon në ushtrimin e detyrës publike të cilën e kam”, thuhet në deklaratë.

Gashi ka apeluar te qytetarët që pavarësisht rastit të përmbahen nga veprimet e gjuajtjeve me armë zjarri gjatë festimeve familjare.

Deklarata e ministrit Dardan Gashi:

Shfrytëzoj rastin të sqaroj opinionin publik, se përkundër raportimit jo-korrekt të disa mediave, nuk bëhet fjalë për “gjuajtje me armë zjarri”, por edhe sipas kualifikimit të Prokurorisë dhe Forenzikës së Republikës së Kosovës që ka ekzaminuar mjetet e përdorura, bëhet fjalë për “imitim arme me gaz”, e cila përveç zhurmës që krijon nuk prodhon predhë apo çfarëdo materiali tjetër me të cilin mund të shkaktohet ndonjë lëndim.

Edhe përkundër faktit është relativisht e paqartë sipas Kodit Penal kualifikimi i këtyre mjeteve për shkak të detyrës publike që ushtroj, pranoj gjobën e shqiptuar dhe njëkohësisht bëj thirrje mediave që të raportojnë në mënyrë korrekte lidhur me këtë rast.

Unë jam përgjigjur nga fillimi të gjitha ftesave të organeve shtetërore ashtu sikurse edhe kërkon Ligji. Këshillat juridike që kam marr nga avokatët mbrojtës konfirmojnë se gjoba në fjalë nuk ndikon në ushtrimin e detyrës publike të cilën e kam.

Me këtë konfirmoj se nuk do të ushtroj ankesë ndaj vendimit, ndërsa gjobën do ta paguaj sipas kërkesave të Gjykatës, ashtu që kjo temë të konsiderohet si e mbyllur, ndërsa apeloj tek qytetarët që pavarësisht rastit të përmbahen nga veprimet e gjuajtjeve me armë zjarri gjatë festimeve familjare.  

Së bashku me ministrit Gashi janë shpallur fajtorë edhe Endrit Shala, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, dhe Sami Lushtaku, ish-kryetar i Skenderajt.

Ministri Endrit Shala u dënua me 2400 euro ndërsa ish- kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku me 1700 euro.

https://kallxo.com/gjykata-denon-sami-lushtakun-dardan-gashin-e-endrit-shalen-video/