Gjykimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare – Foto: KALLXO.com

Dalin para gjyqit ish-drejtori dhe zyrtarja e Urbanizmit të Skenderajt

Ish-drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Skenderajt, Hasan Shala, dhe zyrtarja e kësaj Drejtorie, Sanije Ahmeti, kanë dalë para Gjykatës në Mitrovicë për t’u përgjigjur për veprat që u vihen në barrë.

Hasan Shala akuzohet për keqpërdorimi të pozitës apo autoritet zyrtar, ndërsa Sanije Ahmeti përveç për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar edhe për veprën penale mashtrim në detyrë.

Të dy janë deklaruar të pafajshëm në seancën e sotme fillestare.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë akuzon Hasan Shalën se në cilësinë e drejtorit të Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Skenderajt, si dhe Sanije Ahmeti si inxhiniere e arkitekturës në këtë Drejtori, se duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Sipas akuzës, ata këtë e kanë bërë me qëllim që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër dhe atë organizata e biznesit NNSH ” ILEAA-GR ”.

Në akuzë thuhet se Sanije Ahmeti si mbikëqyrëse e punimeve të projektit për rregullimin e parkut “Te Pishat” në Skenderaj në shtator 2011 ka kërkuar nga Zyra e Prokurimit që të bëhet riformatimi- ndryshimi i pozicioneve të parapara me kontratën e datës 21 korrik 2011.

Kjo ishte e nënshkruar në mes Komunës së Skenderajit dhe kompanisë NNSH” ILEAA-GR” për rregullimin e pishave të parkut në Skenderaj në vlerë prej 88.004,00 euro.

Ndërsa i akuzuari Hasan Shala, sipas aktakuzës, në tetor 2011, ka marrë vendim me anë të të cilit është aprovuar kërkesa, duke ndryshuar kështu pozicionet e punës së rrethojës të parapara me kontratë, me zëvendësimin e platosë me kubëza dhe murit mbrojtës për punime në terren edhe pse kompania NNSH ”ILEAA-GR” kishte filluar realizimin e punëve sipas kontratës.

Në aktakuzës thuhet se ndryshimi i pozicioneve në paramasë nuk lejohet dhe se implementimi është dashur të bëhet në pajtim me kushtet e përcaktuara me kontratën e nënshkruar dhe asnjë kusht i kontratës nuk duhej ndryshuar pas nënshkrimit të saj.

Me këtë Hasan Shala dhe Sanije Ahmeti akuzohen se kanë kryer veprën “keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar”.

Përveç kësaj, Sanije Ahmeti inxhiniere e arkitekturës në Drejtorinë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Skenderajt akuzohet edhe për veprën penale  “mashtrimi në detyrë“.

Kurse sipas akuzës ajo këtë e kishte bërë me prezantimin e rremë të raporteve të datës 12 dhjetor 2011, mbi përfundimin e punëve në rregullimin e parkut “Te Pishat” në Skenderaj duke cekur se punët janë kryer ashtu siç është paraparë me kontratë.

Akuza thote së ajo këtë e kishte bërë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo kompaninë NNSH ”ILEAA-GR” në Skenderaj, duke vënë në lajthim personat e autorizuar zyrtarë në kryerjen e pagesave në shumën prej 80.190,00 euro, si dhe në shumën prej 7.814,00 euro edhe pse kompania NNSH ”ILEAA-GR” nuk i kishte përfunduar punët ashtu siç ishte paraparë me kontratë.

Kurse me rastin e mbajtjes së seancës fillestare në Gjykatën e Mitrovicës, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Ismet Ujkani, të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

I akuzuari Hasan Shala ka thënë se nuk e pranon fajësinë dhe se është plotësisht i pastër dhe i pafajshëm.

Njëjtë është deklaruar edhe Sanije Ahmeti, e cila në këtë rast akuzohet për dy vepra penale.

Pas kësaj palët janë njoftuar nga gjykatësi i rastit Beqir Halili, se në afat prej 30 ditësh, mund të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me akuzën.

Shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet dhe se lidhur me kundërshtimet Gjykata do të vendosë jashtë seancës gjyqësore.